
Ky aksion që ju mendoni se ju bën krenar, për pronarët dhe taksapaguesit është një provë e qartë e dështimit të tejzgjatur dhe e keq-qeverisjes!
Z. kryeministër, lironi "tokat e zëna" nga qeveritë për 35 vite. Në zonat rurale, ku pronësia shekullore njihet dhe respektohet nga banorët e zonave, zona ku përfshihet edhe Thethi, nuk ka "tokë të zënë" nga pronarët, por nga qeveritarët.
Bllokimi i planeve të zhvillimit për 35 vite njihet në favor të mafies qeveritare të tokave, duke u shkelur pronarëve realë të drejtën themelore që është prona private.
Janë harxhuar qindra milionë dollarë dhe euro për planet e zhvillimit dhe ka vetëm hapa pas.
Historia qindravjeçare e zaptimit të tokave është studiuar nga De Soto, i cili këshillon se e vetmja rrugë për të ndalur informalitetin janë planet e zhvillimit.
Z. kryeministër, keni 20 vite kryetar i partisë politike në vend dhe jo vetëm që nuk miratoni planet e zhvillimit, por nuk fokusoheni as pak tek zonat rurale, për të lehtësuar çdo ndërtim për banesë dhe biznes.
Nuk duhet ndonjë shkencë e madhe, por ndoshta janë interesat korruptive që pengojnë planet e zhvillimit dhe vrasin përfitimet reale të pronarëve realë.
Paaftësia parandaluese dhe e mirëfilltë nuk mund të mbulohet me aksionet me goditje të përqendruar, për të prishur investimet private, në tokë private dhe aq më tepër kur ndërtimet janë provizore.
Prishjet nuk janë element force dhe suksesi, por dëshmi e mentaliteteve komuniste, ku përpara viteve ’90, nuk të lejonin të shkoje në punë nëse nuk dorëzoje në ndërmarrje edhe kokën e therur të pulës së vetme në oborrin e shtëpisë, pasi qeveria kishte vendosur tufëzimin.
Ndal prishjet, z. kryeministër!
Mirato brenda 30 ditëve planet e zhvillimit për zonat rurale.
Decentralizo proceset e vështira dhe me kosto të rënda për ndërtimet private në pronë private. Miratimi duhet të jetë automatik, siç e ka sot çdo vend perëndimor.
Në të kundërt, ky aksion që ju mendoni se ju bën krenar, për pronarët dhe taksapaguesit është një provë e qartë e dështimit të tejzgjatur dhe e keq-qeverisjes së shqiptarëve me mentalitetin komunist të partisë-shtet dhe praktikën e qeverisjeve sulltanike “Shteti jam unë”.
Ditë të mbarë!
Lini një Përgjigje