
Aksidentoi një grua te vizat e bardha në Vlorë dhe u arratis nga vendngjarja, kapet pas identifikimit dhe ndjekjes 29-vjeçari i dyshuar.
I arrestuari është Xh.R., banues në qytetin bregdetar, i cili pas aksidentit tentoi të fshihte edhe makinën e tij, tashmë e sekuestruar si provë matriale. E dëmtuara ndodhet në spital dhe jashtë rrezikut për jetën.
Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme në segmentin rrugor “Gjergj Kastrioti”. Policia bën me dije se i riu ka aksidentuar një 55-vjeçare dhe më pas është larguar nga vendngjarja.
“Dje, rreth orës 16:00, në segmentin rrugor “Gjergj Kastrioti”, një shtetas, gjatë drejtimit të automjetit të tij, aksidentoi këmbësoren Z. M., 55 vjeçe, e cila ishte duke kaluar në vendkalimin e këmbësorëve dhe u largua nga vendi i ngjarjes. Si pasojë 55-vjeçarja mbeti e dëmtuar dhe aktualisht ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve”, bëri me dije policia vendore.
Pas analizës së pamjeve të kamerave të sigurisë dhe mbledhjes së dëshmive nga shërbimet e Policisë Rrugore Vlorë, u bë e mundur identifikimi i automjetit që shkaktoi aksidentin dhe drejtuesit të tij.
“Në vijim të veprimeve, u bë i mundur lokalizimi dhe arrestimi i shtetasit Xh. R, 29 vjeç, banues në Vlorë, që tentoi t’i shmangej përgjegjësisë duke fshehur edhe automjetin, i cili u gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale”, njofton policia.
Lini një Përgjigje