
Ai akuzohet se në bashkëpunim me të tjerë, ka pastruar nëpërmjet shitblerjes së automjeteve, paratë e vëllezërve Franc dhe Hajdar Çopja, të përfituara nga veprimtari kriminale.
Është arrestuar në Dubai 36-vjeçari, Armis Stafa i cili akuzohet për pastrimin e parave të një grupi kriminal në Elbasan nëpërmjet shit-blerjes së automjeteve.
36-vjeçari u kap në Dubai pas një operacioni të koordinuar mes Policisë së Shtetit dhe homologëve në Emiratet e Bashkuara Arabe, në kuadër të operacionit “The Wanted”.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në vitin 2024, i ka caktuar 36-vjeçarit, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim.
Ai akuzohet në kuadër të një procedimi penal të vitit 2022, se në bashkëpunim me të tjerë, ka pastruar nëpërmjet shitblerjes së automjeteve, paratë e vëllezërve Franc dhe Hajdar Çopja, të përfituara nga veprimtari kriminale.
“Policia e Shtetit/Vijon operacioni policor ndërkombëtar, i koduar “The Wanted”. Akuzohet nga GjKKO-ja, se pastroi paratë e një grupi kriminal në Elbasan, nëpërmjet shitblerjes së automjeteve, kapet në Dubai, 36-vjeçari. Si rezultat i shkëmbimit në kohë reale të informacionit të siguruar nga struktura të specializuara të Policisë së Shtetit, me homologët në Emiratet e Bashkuara Arabe, nëpërmjet shërbimeve të Interpol Tiranës, gjatë kësaj faze të operacionit “The Wanted”, u kap në Dubai, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, shtetasi A. S. alias A. S., 36 vjeç, i lindur në Elbasan.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në vitin 2024, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim.
Ky shtetas akuzohet në kuadër të një procedimi penal të vitit 2022, se në bashkëpunim me të tjerë, ka pastruar nëpërmjet shitblerjes së automjeteve, paratë e shtetasve F. G. alias F. Ç. dhe H. B. alias H. Ç. (vëllezër), të përfituara nga veprimtari kriminale. Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me homologët në Abu Dhabi, për të finalizuar procedurën për ekstradimin e këtij shtetasi, në Shqipëri”, njofton policia.
Kujtojmë se Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK njoftoi më 20 shkurt sekuestrimin e një pasurie të paluajtshme të lidhur me vëllezërit Franc e Hajdar Çopja, të cilët akuzohen si krerët e njërës prej organizatave kriminale më të përfolura në vend, të përfshirë në vrasje, trafikimin ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe skema komplekse të pastrimit të parave.
Ndërkohë që në Janar ishin sekuestruar dhjetëra pasurive të paluajtshme dhe kriptovalutave me vlerë 10 milionë euro.
Në gusht të vitit të kaluar, SPAK në bashkëpunim me Europol dhe policitë partnere goditën organizatën kriminale të drejtuar nga vëllezërit Çopja, e shtrirë përtej kufijve të Shqipërisë dhe të akuzuar për 6 vrasje, disa atentate, trafik narkotikësh, korruptim të zyrtarëve të drejtësisë dhe grabitjen e bujshme me armë të parave në aeroportin e Rinasit.
Lini një Përgjigje