
Arrestohet ‘koka’ e lokaleve të basteve '333’ dhe ‘CR7’, Njulent Palja, i njohur ndryshe edhe si Lendi Palaj.
Pas denoncimeve të pafundme nga “Pamfleti”, policia ka arritur të kapë në flagrancë 28-vjeçarin Palaj i cili kishte krijuar një ambient të jashtëligjshëm për organizimin e lojërave të fatit.
Gjatë operacionit të koduar “Rezultati”, në lokalin në pronësi të 28-vjeçarit në rrugën “Sadik Petrela”, u arrestua vetë Palaj, administratori i lokalit si dhe tre persona të tjerë të cilët u kapën duke vendosur baste sportive në celularë.
“Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Rezultati”. U kap në flagrancë duke vënë baste, në lokalin e tij në zonën e Xhamllikut, vihet në pranga 35-vjeçari. Gjithashtu në pranga, administratori i lokalit dhe 3 shtetas, të cilët u kapën duke kryer të njëjtën veprimtari të kundërligjshme.
Sekuestrohen 6 celularë. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, në vijim të kontrolleve dhe punës hetimore, të kryera me qëllim konstatimin e ambienteve të përshtatura për organizim të kundërligjshëm të lojërave të fatit, finalizuar operacionin “Rezultati”, gjatë të cilit u vunë në pranga shtetasit Nj. P., 28 vjeç, A. Z., 35 vjeç, F. Ç., 41 vjeç, E. Ll., 36 vjeç dhe E. A., 24 vjeç.
Në lokalin në pronësi të 28-vjeçarit, që administrohej nga 35-vjeçari, në rrugën “Sadik Petrela”, u kapën këta të dy dhe 3 të arrestuarit e tjerë, duke vënë baste sportive, me celularë. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme”, njofton polica.
28-vjeçari Palaj u arrestua gjithashtu pak muaj më parë, pas sherrit që ndodhi më 10 qershor në “Ali Dem”, ku pati dhe të shtëna me armë zjarri.
"Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 3 ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim Nj. P., 28 vjeç, pasi Gjykata e Tiranës, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg“, për veprat penale ''Mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe municionit'' ,''Prodhim dhe mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta'' dhe ''Kanosja”. Ky shtetas u shpall në kërkim me datë 10.06.2024 (10.06.2025), si i dyshuar i përfshirë në një konflikt në rrugën “Ali Demi”, thuhej në njoftimin e policisë.
Palaj cilësohet si “truri” i lokaleve që janë hapur shumë në Tiranë ‘333’ dhe ‘CR7’. Në fakt janë lokale ku gëlojnë bastet sportive, ndonëse të ndaluara me ligj.
Po si u fuqizua ky emër relativisht i panjohur? Raporti tregon se gjithçka filloi gjatë zgjedhjeve parlamentare të 2021-shit, kur Palaj ishte i përfshirë në procesin e mbledhjes së votave në zonën e Ali Demit, duke punuar për llogari të PSD-së së Tom Doshit. Aty krijoi lidhje me personazhe kyçe që administronin rrjetin zgjedhor në terren dhe, pas mbylljes së zgjedhjeve, këto njohje i hapën dyert për t’u marrë më pas me lojërat e fatit në mënyrë të strukturuar. Më tej, thuhet se vetë njerëzit pranë Tom Doshit dhe Çim Babasit e mbështetën financiarisht dhe i siguruan një “ombrellë sigurie”, duke i dhënë mundësi Palajt të ngrinte një rrjet të sofistikuar bastesh.
Në formë të organizuar, rrjeti numëron 25 deri në 30 lokale të shpërndara në kryeqytet, secili i pajisur me platforma online, VPN të centralizuara dhe mundësi pagese kesh ose kriptovalutë. Në pamje të jashtme duken si kafene krejt të zakonshme, ose të regjistruara si “Tobacco shop/gaming corner”, por realisht aty qarkullojne miliona para bastesh në të zezë. Burimet për “Pamfleti” thonë se aktualisht logo apo tabela “baste” s’do të gjeni, por mjafton të njohësh njeriun “e duhur” për t’u kyçur në sistem.
Sipas burimeve tona, ka një hetim paralel edhe nga SPAK dhe BKH, të cilët po gjurmojnë pasurinë e Tom Doshit, i cili hodhi miliona në zgjedhje. Duket se ky do të jetë testi i radhës i drejtësisë, për të shkuar tek ata që fshihen pas Palajt.
Lini një Përgjigje