Policia franceze ka arrestuar së fundmi shqiptarin Rexhino A., i dyshuar si anëtar i grupit ekstremist të majtë të njohur si “Banda e Çekiçit” (Hammerbande). Sipas raportimeve të gazetës gjermane BILD, ai ishte shpallur në kërkim me një urdhër arresti ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet gjermane për përfshirje në një sulm të dhunshëm ndaj neonazistëve në Budapest në fillim të vitit 2023.
Rexhino A., i njohur edhe me nofkën “Gino”, akuzohet se ka qenë pjesë e një grupi të organizuar të përbërë nga aktivistë ekstremistë të majtë, mes tyre Maja T. dhe Lina E., të cilët në shkurt 2023 kanë organizuar një sulm brutal ndaj disa anëtarëve të së djathtës ekstreme hungareze. Viktimat e sulmit mbetën të plagosur rëndë.
Shqiptari ishte arrestuar më parë në nëntor, por autoritetet franceze e liruan në pranverën e vitit 2025, duke refuzuar ekstradimin e tij drejt Hungarisë. Rreziku i rikthimit të një vendimi të tillë është i madh, pasi avokati i tij ka ngritur shqetësimin se ekstradimi fillimisht drejt Gjermanisë do të shërbente vetëm si urë për transferimin e tij në Hungari, një praktikë e ndodhur më parë me anëtaren tjetër të grupit, Maja T.
Në Gjermani, procesi gjyqësor kundër kreut të dyshuar të bandës, Johann Guntermann, po vijon në Dresden, ndërsa Lina E., një nga figurat kyçe të “Bandës së Çekiçit”, është dënuar tashmë me disa vite burg.
Rasti i Rexhino A. ngre pikëpyetje të reja mbi rolin e aktivistëve shqiptarë në grupime radikale të huaja dhe mbetet për t’u parë nëse autoritetet franceze do të pranojnë ekstradimin drejt Gjermanisë, duke pasur parasysh precedentët ligjorë të mëparshëm dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese Federale që e cilësoi të paligjshëm transferimin e Maja T. në Hungari.
Lini një Përgjigje