
Pse hajdutët janë gjithmonë një hap para prodhuesve të makinave?
Imagjinoni të takonit një hajdut makinash në vitin 2013. Pamja e tij nuk do të ishte aspak impresionuese. Çdo vit, puna i ishte bërë më e vështirë. Mjetet klasike të zanatit, si varëse rrobash, shiriti i hollë metalik “slim jim” për të hapur dyert, apo telat për ndezje, po bëheshin dalëngadalë të pavlefshme, falë teknologjive të reja të sigurisë. Puna po thahej.
Por jo më. Bum-i i fundit i vjedhjeve të makinave ka treguar se ky është një front i përhershëm beteje. Nga njëra anë prodhuesit që krijojnë dhe shesin produkte; nga ana tjetër hajdutët që gjejnë mënyra për t’i marrë ato. Sa më e sofistikuar bëhet teknologjia, aq më shpejt shpiket edhe mënyra për ta thyer.
Sot makinat moderne shpesh quhen “kompjuterë me rrota”. Kjo solli përfitime, por edhe dobësi që prodhuesit i kuptuan me vonesë. Fillimisht erdhën sulmet me “relay”, të cilat u përhapën në Britani në vitin 2016, pasi makinat nisën të pajiseshin me ndezje pa çelës. Një hajdut qëndron jashtë shtëpisë, kap sinjalin elektronik të çelësit brenda dhe e “përçon” te makina, duke e hapur.
Prodhuesit e kanë zgjidhur këtë në modelet e reja. Sot hajdutët futen duke lidhur pajisje në komponentët elektronikë të makinës, të cilat e mashtrojnë sistemin sikur po komunikon me çelësin origjinal. Një polic në portin Felixstowe tregon disa makina të rikuperuara: një ishte hapur përmes dritës së pasme, një tjetër përmes sistemit pranë kapakut të motorit.
Kjo pajisje blihet lehtësisht në internet. Në YouTube madje ka video që tregojnë përdorimin e saj. Grupet kriminale të organizuara shpenzojnë deri në 20 mijë paund për një të tillë. Dhe kur policia arrin ta sekuestrojë, qetësia zgjat vetëm pak javë.
Problemi kryesor për prodhuesit është ritmi i inovacionit kriminal. Ndërsa projektimi i një makine kërkon vite, hajdutët mund të shfrytëzojnë një dobësi për një kohë të gjatë. Një tjetër problem është kostoja. Modelet luksoze mbrohen më shumë, sepse prodhuesit druajnë për imazhin e markës. Në segmentin e mesëm, ku konkurrenca është mbi çmimin, pronarët fajësojnë më pak kompaninë kur u vidhet makina.
E njëjta histori po ndodh edhe me telefonat. Kur u futën bllokimet biometrike dhe njohja e fytyrës, telefonat e vjedhur humbën vlerë. Kriminelët iu kthyen “snatch thefts” kapjes së telefonit direkt nga dora e përdoruesit, kur ky është i hapur, dhe çaktivizimit të gjurmimit para se viktima të reagojë.
Prodhuesit kundërpërgjigjën me masa të reja, si bllokimi automatik pas një lëvizjeje të dhunshme ose kërkesa për kod në rast transferimi në një vend të panjohur. Por sistemi ka gjithmonë një hallkë të dobët: njeriun. Shumë përdorues nuk i aktivizojnë këto opsione. Ndërkohë, kriminelët përdorin phishing për të marrë të dhënat personale dhe, nëse nuk ja dalin, telefonin e shesin për pjesë.
Disa politikanë në Britani kanë akuzuar kompanitë, si Apple, se nuk e zgjidhin me vetëdije problemin, p.sh. duke futur një “kill switch” të detyrueshëm. Por realiteti është më kompleks. Një funksion i tillë do të hapte probleme të reja, pasi mund të keqpërdorej edhe nga shitësit e pasurive të dorës së dytë.
Përfundimi i drejtë është se kostoja e vjedhjeve shpërndahet shoqërisht, përmes rritjes së primit të sigurimeve, dhe, për pasojë, askush nuk ka një interes të fortë për ta zgjidhur përfundimisht problemin. /Përshtati “Pamfleti” nga “The Economist”
Lini një Përgjigje