
Zbardhen detaje të reja nga zhdukja e mistershme të Eglant Koçit, një rast që po hetohet intensivisht nga autoritetet dhe ku në qendër të dyshimeve ndodhet miku i tij, Armand Shakaj.
Gazetari Ervin Leka tha se dyshimet e para të grupit hetimor u shtuan pas deklaratave kontradiktore të Shakajt për lëvizjet dhe gjendjen e Koçit.
Sipas tij, Shakaj kishte pretenduar se Eglant Koçi ishte kthyer nga Dubai në gjendje të rënduar psikologjike. Megjithatë, verifikimet e kryera nga policia dhe informacionet e marra nga familjarët treguan se Koçi nuk kishte udhëtuar fare drejt Dubait.
Një tjetër element që ka tërhequr vëmendjen e hetuesve lidhet me kontaktet e mëvonshme mes policisë dhe Shakajt. Ky i fundit kishte deklaruar se nuk mund të paraqitej në komisariat pasi po merrte trajtim mjekësor në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Por kur efektivët shkuan për ta verifikuar, ai nuk u gjet në ambientet e spitalit.
Sipas Lekës, policia është gjithnjë e më e bindur se rasti mund të lidhet me një ngjarje kriminale dhe se ekzistojnë dyshime për eliminimin fizik të Eglant Koçit.
Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se marrëdhëniet mes Koçit dhe Shakajt ishin përkeqësuar kohët e fundit. Sipas të dhënave paraprake, mbrëmjen e 4 qershorit, Shakaj e kishte thirrur Koçin për një sqarim. Kamerat e sigurisë e kanë fiksuar këtë të fundit duke hyrë në ambientet e biznesit të Shakajt, por jo duke dalë prej tyre.
Autoritetet vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, ndërsa ende nuk ka një version zyrtar për fatin e Eglant Koçit.
"Policia është e bindur nga provat se mund të kemi të bëjmë me një ngjarje kriminale dhe me eliminimin fizik të tij. Kohët e fundit marrëdhëniet mes Eglant Koçit dhe Armand Shakajt ishin krisur dhe ka qenë mbrëmja e 4 qershorit kur Armand Shakaj e ka thirrur mikun e tij për një sqarim. Eglant Koçi është parë të hyjë te biznesi i tij, por nuk është parë të dalë më. Kanë qenë disa alibi të ngritura nga Shakaj që nuk e kanë bindur grupin hetimor pas marrjes në pyetje.
Ka qenë një moment kur është marrë në pyetje. Ndërsa kur policia është bindur, pasi Shakaj ka krijuar një alibi duke thënë se me Koçin nuk ka pasur kontakte të vazhdueshme dhe se pas një udhëtimi në Dubai, ai ishte kthyer në kushte të rënduara psikike. Por kur janë pyetur familjarët, është bërë me dije se Eglant Koçi nuk ka udhëtuar në Dubai dhe këtu ka lindur pika e dyshimit te policia.
Kanë kontaktuar me Armand Shakajn dhe ai ka thënë se nuk ndihet mirë dhe nuk mund të paraqitet te policia, pasi po merrte një serum në QSUT. Por në momentin që policia ka shkuar aty, ai nuk është gjetur dhe që nga ai moment ka humbur gjurmët", u shpreh gazetari për "A2 CNN".
Lini një Përgjigje