
Ismail Zeneli është personi që kërkonte të vriste në bashkëpunim me Bujar Gërmizin, Dedan Gjonin dhe Nuredin Dumanin, dy vëllezërit Edmond dhe Albert Nela.
Gjykata e Posaçme ka dënuar me 15 vite burgim Ismail Zenelin, i cili akuzohet se donte të vriste vëllezërit Albert dhe Edmond Nela në Britani për hakmarrje.
Ismail Zeneli përfitoi nga gjykimi i shkurtuar dhe dënimi iu ul në 10 vite burg, që do e vuajë një burg të sigurisë së lartë.
GJKKO ka dënuar me burg edhe ish-shefin e Krimeve Dedan Gjoni dhe 4 të tjerë, të cilët janë pjesë e grupit: Bujar Ajeti, Adrian Cenaj (Dedja), Besmir Murati dhe Albert Prengas.
Dënimet me gjykim të shkurtuar:
Ismail Zeneli, -10 vjet burgim. (Grup kriminal, sigurim kushtesh per vrasje, droge)
Bujar Ajeti, -6 vjet burgim
Adrian Cenaj (Dedja), -4 vjet burgim.
Dedan Gjoni, – 8 vjet burgim.
Besmir Murati – 8 vjet burgim dhe Albert Prenga” – 8 vjet burgim.
Emri i Ismail Zenelit ose Luan Sadria doli nga zbërthimi i bisedave të një grupi kriminal në aplikacionin SKY ECC, ku u zbulua edhe plani i tij për të vrarë vëllezërit Albert e Edmond Nela për hakmarrje.
Ai besonte se në vitin 2013 i kishin vrarë vëllain me emrin e ndryshuar, Xhem Krasniqi, krim që kishte ndodhur në Britaninë e Madhe. Në shenjë hakmarrje ai kërkonte eliminimin e tyre dhe këtë e kishte marrë përsipër Bujar Gërmizi, i arrestuar nga policia me urdhër të SPAK.
Sipas dosjes hetimore, ish-shefi i krimeve të Rënda, Dedan Gjoni kryen veprime aktive duke ndjekur motrën dhe nënën e dy vëllezërve, tenton t’ju vërë GPS në makinë, ndërsa nxjerr nga sistemi TIMS të dhënat për Albert dhe Edmond Nelën.
Vrasja nuk realizohet, pasi nuk arrijnë t’i gjejnë vendndodhjen e dy vëllezërve. Ndërkohë, Ismail Zeneli rezulton person kyç në trafikun e drogës nga Brazili dhe Ekuadori në drejtim të vendeve të BE-së dhe bashkëpunon ngushtë me Eralbi Breçanin.
Vendimi i GJKKO:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Gjykimin e çështjes penale në ngarkim të të pandehurve Ismail Zeneli, Bujar Ajeti, Adrian Cenaj (Dedja), Dedan Gjoni, Besmir Murati dhe Albert Prenga”.
Gjykimi i kësaj çështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtaret Erjon Çela, Erjon Bani dhe Bib Ndreca, me vendimin nr. 75, datë 21.11.2025 vendosi:
Deklarimin fajtor të të pandehurit Ismail Zeneli, për kryerjen e veprës penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal, e parashikuar nga neni 283/a/1-28/4 i Kodit Penal dhe në lidhje me nenin 334/1 të K.Penal dënimin e tij me 13 vjet burgim.
Deklarimin fajtor të të pandehurit Ismail Zeneli, për kryerjen e veprës penale “Grup i strukturuar kriminal”, e parashikuar nga neni 333/a/1 i Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 5 vjet burgim.
Deklarimin fajtor të të pandehurit Ismail Zeneli, për kryerjen e veprës penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në bashkëpunim në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal, e parashikuar nga neni 80-28/4 i Kodit Penal dhe në lidhje me nenin 334/1 të K.Penal dënimin e tij me 9 vjet burgim.
Deklarimin fajtor të të pandehurit Ismail Zeneli, për kryerjen e veprës penale “Grup i strukturuar kriminal”, e parashikuar nga neni 333/a/1 i Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 5 vjet burgim.
Në zbatim të nenit 55 të K.Penal mbi caktimin e dënimit për kryerjen e disa veprave penale, dënimin e të pandehurit Ismail Zeneli me një dënim të vetëm me 15 vjet burgim.
Në aplikim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale masës së mësipërme të dënimit i zbritet 1/3 duke u dënuar përfundimisht i pandehuri Ismail Zeneli me një dënim të vetëm përfundimtar prej 10 vjet burgim.
Vuajtja e dënimit për të pandehurin Ismail Zeneli do të fillojë nga dita e arrestimit të tij dhe do të kryhet në një IEVP, burg i sigurisë së lartë.
Lini një Përgjigje