TAGS-AT E JAVËS

Kronike17 Qershor 2026, 13:49

Dyshohet se pastroi mbi 30 milionë euro nga trafiku i drogës, zbulohen komunikimet e “kumbarit të kokainës” me vëllain

Shkruar nga Pamfleti

Dyshohet se pastroi mbi 30 milionë euro nga trafiku i drogës, zbulohen

Salvadore Aliu, për të cilin SPAK ka lëshuar urdhër arresti, dyshohet se ka pastruar në Shqipëri të paktën 30 milionë euro të përfituara nga aktivitetet e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Sipas hetimeve, një rol të rëndësishëm në administrimin dhe investimin e këtyre fondeve dyshohet se ka pasur vëllai i tij, Isa Aliu.

Prokuroria dyshon se përmes katër kompanive të regjistruara në emër të Isa Aliut janë kryer investime në pasuri të paluajtshme, përfshirë vila, apartamente, troje dhe projekte ndërtimi, si edhe struktura hotelerie në zona turistike të vendit.

Sipas dosjes hetimore, Salvadore Aliu përdorte platformën e koduar SKY ECC për komunikim, ku identifikohej me pseudonime të ndryshme, mes tyre “Dala”, “Qero”, “Qerosi”, “Viktor” dhe “Albo Pelon”. Nga analizimi i komunikimeve të zbërthyera rezulton se në gusht të vitit 2020, Isa Aliu e informonte vëllanë se dispononte 6 milionë euro cash. Dy javë më vonë, Salvadore Aliu i komunikonte se pritej të merrte edhe 20 milionë euro të tjera.

Në bisedat e dokumentuara, ai jepte udhëzime për mënyrën e fshehjes së parave deri në investimin e tyre, duke sugjeruar, sipas hetuesve, ruajtjen e tyre në fuçi metalike dhe groposjen në vende të sigurta.

Hetimi ndaj Aliut nisi në maj të vitit 2020 pas një referimi të Policisë së Shtetit. Sipas SPAK, ai dhe persona të lidhur familjarisht me të dyshohet se kanë qenë pjesë e një rrjeti ndërkombëtar të trafikut të kokainës nga Ekuadori drejt vendeve të Evropës.

Nga të dhënat hetimore, Salvadore Aliu dyshohet se ka ushtruar rol drejtues në organizatë, duke mbikëqyrur të gjithë zinxhirin e aktivitetit kriminal, nga sigurimi i lëndës narkotike dhe financimi i ngarkesave, deri te furnizimi i grupeve të tjera kriminale.

Burime pranë SPAK, të cituara nga Report TV, e konsiderojnë 50-vjeçarin nga Elbasani si një nga figurat më të rëndësishme shqiptare të trafikut ndërkombëtar të drogës të hetuara deri më sot nga drejtësia shqiptare. Sipas të njëjtave burime, për identifikimin e rolit të tij kanë punuar prej vitesh edhe agjenci ligjzbatuese në disa vende evropiane.

Dosja hetimore përmend gjithashtu lidhje të dyshuara të Aliut me persona të njohur në botën e krimit, përfshirë emra si Çopjat, Eldi Dizdari, Dritan Gjika dhe grupin e Jetmir Pepës, për të cilët SPAK po zhvillon hetime të veçanta ose të ndërlidhura. 

 

salvadore aliu

Lini një Përgjigje