I penduari i drejtësisë, Artan Tafani, ka dhënë sërish dëshmi në procesin gjyqësor ndaj Laert Haxhiut, duke zbuluar detaje mbi planifikimin e vrasjes së Rexhep Ginës.
Gjatë seancës, Tafani deklaroi se në korrik të vitit 2022 jetonte së bashku me Laert Haxhiun në zonën e Astirit në Tiranë dhe se në atë periudhë kishin ndërmarrë veprime për realizimin e vrasjes së Rexhep Ginës.
Sipas tij, motivi i krimit lidhej me hasmërinë dhe konflikte të vjetra. Tafani tha se nuk e njihte personalisht Ginën, ndërsa shpjegimet për arsyet e ekzekutimit ia kishte dhënë vetë Laert Haxhiu.
“Për punë hasmërie. Ka qenë te grupi i Aldo Bares. Ka pasur edhe konflikt pronash. Laerti më ka shpjeguar pak a shumë arsyen”, deklaroi Tafani para gjykatës.
Ai tregoi se bisedat e para për eliminimin e Rexhep Ginës ishin zhvilluar në Athinë, ku Gina jetonte në atë kohë. Sipas dëshmisë, në takimin ku u diskutua plani kanë qenë të pranishëm Laert Haxhiu, Artan Tafani dhe Mario Diamanti, i cili më vonë u vra në Greqi.
Tafani tha se Haxhiu kishte siguruar informacione për lëvizjet e objektivit përmes një polici grek, ndërsa shtoi se Rexhep Gina monitorohej vazhdimisht.
Sipas tij, dy persona të afërt me Haxhiun i dërgonin këtij të fundit video dhe fotografi të Ginës, ndërsa vetë Haxhiu e ndiqte prej kohësh me qëllim organizimin e atentatit.
Dëshmia e Tafanit është pjesë e procesit gjyqësor që po zhvillohet ndaj Laert Haxhiut, i akuzuar për një sërë ngjarjesh të rënda kriminale.
Dëshmia e Artan Tafanit:
Avokati: Korrik 2022 ku keni qenë?
-Në Astir me Laertin, në shtëpi. bashkë kemi jetuar në atë kohë
Avokati: A ju kujtohet të keni kryer ndonjë aktivitet kriminal, gjatë korrikut 2022
-Mos gaboj, kemi marrë veprimet për të kryer vrasjen e Rexhep Ginës. Personalisht nuk e njihja
Avokati: Kush e porositi dhe pse?
-Për punë hasmërie, ka qenë te grupi Aldo Bares. Ka qenë dhe një konflikt pronash. Ma ka shpjeguar Laerti arsyen pak a shumë. Në Lushnjë te lokali i Rexhep Ginës ka pasur toka dhe xhaxhai i Laertit aty.
Avokati: Kur e keni diskutuar për herë të parë?
-Në Athinë, Greqi.
Avokati: Keni bërë plan?
-Rexhep Gina në atë kohë jetonte në Athinë, prandaj. Ma tha mua personalisht dhe Mario Diamantit, do merrnin informacione përmes një polici grek.
Avokati: Kush kanë qenë të pranishëm?
-Mario Diamanti që është vrarë në Greqi, unë Laert Haxhiu. Takimi në Greqi është bërë në 2021 mos gaboj.
Avokati: Sa keni qëndruar në Greqi
-10 ditë, ika pastaj. Laerti erdhi në tetor
Avokati: Keni diskutuar më për Rexhep Ginën?
-Po, për vrasjen e Rexhep Ginës. E ruante Laerti vazhdimisht, e ndiqnin dhe njerëzit e Laertit. Dy persona i çonin video dhe foto Laertit.
Lini një Përgjigje