Në imazhet e siguruara nga kamerat e sigurisë, Koçi shihet më 4 qershor, ditën kur u pa për herë të fundit. Ai ndodhet pranë motorit të tij në parkimin e një pallati, pak para se të zhdukej pa lënë gjurmë.
Për këtë ngjarje është shpallur në kërkim Armand Shaka, 41 vjeç, i cili dyshohet nga hetuesit se ka rrëmbyer dhe mbajtur peng 34-vjeçarin. Ndërkohë, me urdhër të Prokurorisë është arrestuar Enea Zyferi, i dyshuar për veprën penale të përkrahjes së autorit të krimit.
Familja denoncoi zhdukjen e Eglant Koçit më 4 qershor, duke deklaruar se prej dy ditësh kishte humbur çdo kontakt me të. Sot, ka kaluar më shumë se një javë pa asnjë informacion mbi vendndodhjen e 34-vjeçarit.
Sipas familjarëve, Koçi nuk kishte konflikte apo probleme të njohura që mund të shpjegonin largimin e tij. Megjithatë, hetimet kanë marrë një tjetër drejtim pas dyshimeve se ai mund të jetë rrëmbyer.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se 34-vjeçari punonte si korrier për zyrat e këmbimit të kriptomonedhave, duke transportuar para cash pas konvertimit të aseteve dixhitale. Ky detaj po verifikohet nga grupi hetimor për të kuptuar nëse ka lidhje me zhdukjen e tij.
Policia dhe Prokuroria vijojnë kërkimet për gjetjen e Eglant Koçit dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Lini një Përgjigje