
Dy personazhe të botës së krimit janë arrestuar në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe sot pritet të ekstradohen në Tiranë.
Ditën e sotme pritet të ekstradohet nga Dubai drejt Shqipërisë dy personazhe të shumëkërkuar nga drejtësia shqiptare, Dashnor Dumani dhe Artemis Stafa, të cilët akuzohen për përfshirje në aktivitete të rënda kriminale dhe janë nën hetim nga SPAK.
Dashnor Dumani, vëllai i Nuredin Dumanit, një nga emrat më të njohur të botës së krimit në vend rezulton i dënuar për armëmbajtje pa leje dhe i akuzuar nga GJKKO-ja, për vrasje dhe për vjedhje me armë. Ai ka qenë pjesë e Masakrës së Bradasheshit, ku u vranë 3 familjarë të Erion Alibej.
Po ashtu në Tiranë do sillet edhe Armis Stafa, i akuzuar nga GJKKO se ka pastruar paratë e grupit kriminal të Franc e Hajdar Çopjas.
Policia e Shtetit konfirmoi se ekstradimi u bë i mundur falë bashkëpunimit të ngushtë me autoritetet në Emiratet e Bashkuara Arabe. Të dy të arrestuarit do të përballen me drejtësinë shqiptare në kuadër të hetimeve të thelluara të ndërmarra nga SPAK për çmontimin e rrjeteve kriminale në vend.
"Si rezultat i bashkëpunimit shumë të ngushtë me partnerët në Emiratet e Bashkuara Arabe, pritet që gjatë ditës së sotme, të finalizohen procedurat për ekstradimin nga Dubai, në Shqipëri, të shtetasve të shumëkërkuar, pjesëtarë të organizatave kriminale:
-Dashnor Dumani, i dënuar për armëmbajtje pa leje dhe i akuzuar nga GjKKO-ja, për vrasje dhe për vjedhje me armë;
-Armis Stafa, i akuzuar nga GjKKO-ja, se ka pastruar paratë e një grupi kriminal në Elbasan.
Në lidhje me orën e mbërritjes, do të ketë një njoftim tjetër", njofton policia.
Lini një Përgjigje