Kronike13 Shkurt 2024, 09:44

I dënuar në Itali për trafik droge, arrestohet në Vlorë 39-vjeçari me dy identitete

Shkruar nga Pamfleti

I dënuar në Itali për trafik droge, arrestohet në Vlorë

Një 39-vjeçar i shpallur në kërkim nga Italia është arrestuar në qytetin e Vlorës.

Sipas policisë, bëhet fjalë për 39-vjeçarin Henerik Boba alias Ermal Hitaj, i cili rezulton i dënuar nga Gjykata e Firences me 7 vjet e 4 muaj burgim.

Arrestimi i tij u krye në kuadër të operacionit ‘Part OF’, në lagjen 10 korriku në Vlorë. 39-vjeçari është i dënuar nga autoritetet e vendit fqinj për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të organizatës kriminale.

Interpol Tirana dhe Interpol Roma po bashkëpunojnë për të kryer ekstradimin e 39-vjeçarit në Itali.

"Finalizohet operacioni policor i koduar “Part of”, për kapjen e një shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar. I dënuar në Itali, me mbi 7 vjet burgim, për pjesëmarrje në një organizate kriminale për trafikim të lëndëve narkotike, lokalizohet, kapet dhe arrestohet me qëllim ekstradimin, 39-vjeçari.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në vijim të operacioneve policore për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, të cilat zhvillohen në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, si dhe si rezultat i shkëmbimit të vazhdueshëm të informacioneve ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Part of”.

Gjatë operacionit, në lagjen “10 Korriku”, u lokalizua, u kap dhe u arrestua provizorisht, për t’u ekstraduar në Itali, shtetasi i shpallur në kërkim ndërkombëtar: Henerik Boba alias Ermal Hitaj, 39 vjeç.

Gjykata e Firences e ka dënuar këtë shtetas, me 7 vjet e 4 muaj burgim, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të organizatës kriminale, sipas parashikimeve të Kodit Penal të Italisë. Interpol Tirana dhe Interpol Roma po bashkëpunojnë për të kryer ekstradimin e këtij shtetasi", thuhet në njoftimin e policisë.

 

itali trafik droge dy identitete vlore 39-vjecar