Kronike16 Mars 2023, 18:48

“Sulmi ka lidhje me Ervis Martinajn”, Artan Hoxha për masakrën në Don Bosko: Për 25 minuta autorët kryen atentatin dhe u arratisën

Shkruar nga Pamfleti

“Sulmi ka lidhje me Ervis Martinajn”, Artan Hoxha për

Gazetari Artan Hoxha ka zbuluar detaje të reja lidhur me atentatin e ndodhur në zonën e Don Boskos ku si pasojë mbeti e vrarë një grua dhe u plagosën 5 të tjerë.

I ftuar në studion e “News24” në rubrikën “Opinion” Hoxha tregoi se në rastin konkret sulmi ka një simbolikë tejet të rëndë dhe se terrori i përcjellë te qytetarët është më i madh se pasojat e vetë atentatit.

Ai zbuloi se autorët brenda një harku kohor prej 25 minutash kanë shkuar nga Qafa e Kasharit në Don Bosko ku kryen atentatin dhe më pas janë shfaqur sërish në Qafë Kashar, pa pasur asnjë ndalesë.

Sipas tij kjo ngjarje ka ndodhur në kuadrin e luftës mes grupeve kriminale, më saktë mes atij të Ervis Martinajt dhe atyre që Hoxha i cilësoi si një “aleancë” e krijuar për t’iu kundërvënë atij.

“Media e përdor si batutë, por u them njerëzve të kenë kujdes në ambientet ku ulen. Në 1000 raste nuk ndodh gjë, por mund të ndodhesh në vendin e gabuar në kohën e gabuar. Në rastin konkret nuk u vra një qytetar i thjeshtë, simbolika është e rëndë. Është vrarë një gjyshe, është plagosur mbesa. Djali  i saj tha që nuk ishte as në punë në atë moment, por po pinte kafe. Ky është një atentat me simbolikë, terrori që çon te qytetarët është më i madh se pasojat. Ajo breshëria e plumbave ka terrorizuar qytetarët dhe ka sjellë pasiguri. Ky atentat ndodh në një zonë afër qendrës dhe autorët për 25 minuta shfaqen në Qafë Kashar pa ndalesë, hyjnë në Don Bosko dhe shfaqen sërish në Qafë Kashar. Hynë dhe godasin me qetësinë më të madhe. Kjo skuadër vrasësish është ende e lirë dhe ka rrezik potencial të bëjë të njëjtën gjë. Kjo ka të bëjë me përplasjen e Ervis Martinajt dhe një grupi tjetër, është një aleancë grupesh kundër Martinajt”, u shpreh Hoxha.

sulmi don bosko 25 minuta autorët