
Tase ka rrëfyer se si është njohur me Henkrik Hoxhajn dhe përpjekjet për realizimin e atentatit ndaj tregtarit të naftës.
Skerdi Tase, i njohur si pjesë e grupit të vrasësve me pagesë të Nuredin Dumanit, ka dëshmuar për herë të parë ditën e sotme në cilësinë e bashkëpunëtorit të drejtësisë në procesin e dosjes “Plumbi i artë”.
Tase është pyetur nga prokurori i SPAK-ut, Behar Dibra, për atentatin në vitin 2017 ndaj tregtarit të naftës Aredin Behari.
Si porositës i dy atentateve në vitin 2017 dhe 2019 akuzohet Albert Pashaj, dhe do të kryhej nga "ushtari" i Nuredin Dumanit, Henrik Hoxhaj, të cilin e ka paguar 80 mijë euro.
Në dëshminë e tij, Tase ka rrëfyer se si është njohur me Henkrik Hoxhajn dhe përpjekjet për realizimin e atentatit ndaj Beharit.
Më tej, ai thotë se Viron Tavanxhiu e ka kontaktuar për të vrarë edhe Agim Boriçin në Fier.
"Me Henkrik Hoxhaj jam njohur nga një shok i përbashkët. Ky shtetas Viron Tavanxhiu na foli për një atentat që do i bëhej një personi në Fier. Henriku kishte siguruar një makinë, armët dhe i ishin vënë në ndjekje të këtij personi.
Ditën e ekzekutimit Henriku më tha se porositësi e kishte marrë në telefon dhe i kishte thënë “Pse po e vononi atë punë?” I shkuam në lokal për ta qëlluar, por u fut poshtë tavolinës e më pas brenda në lokal. Nuk u futa më tej se isha pa doreza.
Vironi më ka kontaktuar edhe për të bërë vrasjen e Agim Boriçit po në qytetin e Fierit. U realizuan veprimet në vitin 2018. Me Henrikun takoheshim përditë për të bërë planet. Riku më tha se kishte marrë dhe një punë tjetër për Aredin Beharin", tha Tase.
Kujtojmë se seanca e kaluar (10 korrik), dështoi për të katërtën herë radhazi marrja e dëshmisë së të penduarit Skerdi Tasi nga Gjykata e Posaçme, për shkak të debateve të forta në seancë mes prokurorëve dhe avokatëve. Shkak i këtyre debateve u bë fakti që gjykata refuzoi kërkesën e avokatëve mbrojtës për të pasur në dispozicion të plota disa proceaverbale deklarimesh të të penduarit Erion Alibej, të vitit 2022.
Pas këtij momenti, avokati i Henrik Hoxhajt dhe avokatët e Altin Ndocit kërkuan përjashtimin e të tre anëtarëve të trupit gjykues me pretendimin se ishin të njëanshëm në gjykim.
Debati në sallë precipitoi deri në fyerje nga ana e prokurorit Behar Dibra, ndërsa avokati Gentian Rumano po përsëriste kërkesën për përjashtim. Këto bënë që i penduari Tasi të mos mundte ta jepte dëshminë para trupës gjyqësore për të disatën herë.
Lini një Përgjigje