
Një 43-vjeçar është arrestuar ditën e sotme në Krujë, pasi ishte shpallur në kërkim nga autoritetet italiane në Torino.
Hashim Basha është dënuar me 5 vite e 6 muaj burg nga gjykata italiane për veprat penale “Rrëmbimi i personit dhe “Vjedhja me dhunë”. Basha është arrestuar pas një telefonate në polici, përmes së cilës blutë arritën të gjenin vendin ku fshihej ai.
"Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ndaj Personit, në vijim të punës për lokalizimin, kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të shtetasve të shpallur në kërkim, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, për vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Monday”.
Si rezultat i këtij operacioni, u ndalua shtetasi në kërkim Hashim (Abdyl) Basha, 43 vjeç, banues në Budull. Ky shtetas është dënuar 5 vjet e 6 muaj, burgim, për veprat penale “Rrëmbimi i personit dhe “Vjedhja me dhunë”, dhe nga përllogaritja e dënimit sipas njohjes dhe ekzekutimit në shtetin shqiptar, të vendimit penal të huaj të Gjykatës për të Mitur në Torino, i kanë mbetur dhe 2 vjet e 6 muaj burgim", njofton policia.
Lini një Përgjigje