
Policia e Tiranës ka zbardhur shpërthimin e ndodhur disa ditë më parë në rrugën “Fadil Deliu” në Tiranë, në bodrumin e një fasonerie në pronësi të një italiani.
Në pranga ka rënë Edmond Arapi dhe një i mitur që kishte marrë porosi nga 46-vjeçari për të vënë tritolin në biznesin e italianit.
"Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 5 dhe atë të Himarës, në vijim të punës për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes së ndodhur me datë 25.05.2023, në një fasoneri në rrugën “Fadil Deliu”, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Explosion”.
Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi i shtetasit E. A., 46 vjeç dhe i një shtetasi 16 vjeç.
Nga veprimet hetimore dhe provat e siguruara dyshohet se 46-vjeçari e ka shtytur 16-vjeçarin, duke i ofruar shumë 100 000 lekë të rinj, për të vendosur sasisë e lëndës plasëse në fasonerinë në pronësi të shtetasit R. G.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një biçikletë e përdorur nga 16-vjeçari, e dyshuar e vjedhur më parë, veshjet që ai ka përdorur gjatë vendosjes së eksplozivit, si dhe një mekanizëm shkrehës arme, e cila u gjet gjatë kontrollit të banesës së shtetasit E. A.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.", njofton Policia.