
Gjykata e Shkodrës vendos masën e sigurisë “arrest shtëpie” për shtetasin Ernest Veshtaj i cili u ndalua nga policia si organizator i kultivimit të kanabisit në kraterin e gjetur me 8 mijë fidanë në Malësi të Madhe. Veshtaj ka mohuar akuzat ndaj tij duke thënë se nuk ka asnjë lidhje me 27 serat me kanabis të asgjësuara nga policia në krater.
Prokuroria kërkoi masën e sigurisë “arrest me burg” por gjykata vendosi “arrest shtëpie” për shkak të mungesave të provës në këtë fazë fillestare të hetimit të kësaj çështje.
27 serat me kanabis u zbuluan dy ditë më parë në vendin e quajtur “Badra e Mehajve” në Malësi të Madhe. Policia në Malësi të Madhe në Shqipëri, ka zbuluar 27 sera në të cilat ishin kultivuar në Kubikë, të paktën 8 000 bimë kanabisi.
Serrat ishin vendosur në një krater 20 metra të thellë dhe fidanët ishin gati për t’u shpërndarë, me qëllim kultivimin e tyre në tokë.
Serrat u gjetën në vendin e quajtur “Badra e Mehajve”, në Koplik, qendër, në një krater që ka shërbyer për marrje inertesh. Gjatë kontrollit në banesën e 52-vjeçarit të arrestuar policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale 3 armë gjahu, një sasi fishekësh për armë gjahu dhe 5 thika.
Nga operacioni antikanabis i koduar “Krateri”, nisi hetimi për 3 punonjës të bashkisë Malësi e Madhe, Gjovalin Gjekaj, drejtori i pyjeve dhe punonjësit e Ujësjellësit, Roland Gjekaj (specialist) dhe Arben Hysaj (hidraulik). Ata mbulonin zonën ku janë gjetur fidanët narkotikë. Nga pamjet duket se serat janë në një ambient të hapur, ku janë dërguar bimët e kanabisit dhe sende që shërbejnë për rritjen e tyre që deri më sot kanë arritur t'i shpëtojnë syrit të policisë.
Lini një Përgjigje