
Operacioni ndërkombëtar “The Wanted” ka sjellë dy ekstradime të rëndësishme në Shqipëri. Autoritetet italiane dhe gjermane dorëzuan përkatësisht Hajrulla Xhivinin dhe Brian Syzon, të dy të kërkuar për vepra të rënda penale.
Hajrulla Xhivini, 42 vjeç, u kap në Itali dhe u ekstradua drejt vendit tonë pas urdhrit të Gjykatës së Tiranës, që i kishte caktuar masën “arrest në burg”. Ai akuzohet për “Kanosje për shkak të detyrës” dhe “Prishje të qetësisë publike”. Sipas hetimeve, në muajin shkurt 2024, Xhivini ka kërcënuar në mënyrë të përsëritur gjyqtarin E. L. të Gjykatës Administrative Lushnjë, përmes telefonatave dhe protestave publike para Gjykatës së Lartë. Duhet theksuar se ai kandidoi dhe për Drejtor të Përgjithshëm Policie muaj më parë kur u hap gara për kreun e ri.
Ndërkohë, nga Gjermania u ekstradua Brian Syzo, 34 vjeç, i cili ishte shpallur në kërkim nga drejtësia shqiptare për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Prokuroria e Korçës e akuzon atë për shpërndarje të kokainës në qytetin e Pogradecit, ndërsa ndaj tij ishte caktuar masa “arrest në burg”.
Të dy shtetasit iu dorëzuan Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, duke e çuar një hap më përpara bashkëpunimin e Interpol Tiranës me partnerët ndërkombëtarë për ndjekjen penale të të kërkuarve shqiptarë.
Lini një Përgjigje