Kronike23 Maj 2024, 12:58

Kapja e kokainës në pronësi të biznesmenit shqiptar, dalin pamjet e operacionit të policisë; sekuestrohen mijëra euro dhe armë

Shkruar nga Pamfleti

Kapja e kokainës në pronësi të biznesmenit shqiptar, dalin

Të tjera detaje janë zbuluar pas operacionit të policisë greke që çoi në sekuestrimin e 310 kg kokainë dhe arrestimin e disa shtetasve, përfshirë shqiptarë.

Sipas burimeve, operacioni u zhvillua në kuadër të një hetimi shumë mujor në bashkëpunim me Zyrën DEA të Ambasadës Amerikane në Athinë lidhur me një organizatë kriminale, me natyrë transnacionale, aktive në trafikimin nga Amerika Latine të sasive të konsiderueshme të kokainës me destinacion vendet europiane por edhe Turqinë.

54-vjeçari shqiptar Jasona Mërkuri alias Andrea Mërkuri alias Azdren Muharremi si drejtues i organizatës kriminale, ishte i ngarkuar me gjetjen e sasive të drogës, financimin e blerjes dhe transportit, organizimin e dërgesës së drogës nga Panamaja në vendet e Evropës, fshehjen e tyre në kontejnerë të destinuar për në Greqi dhe lëvizjen e tyre të mëtejshme.

36-vjeçari Marsel Stafaj, si bashkëpunëtor i drejtpërdrejtë i Mërkurit, ishte ngarkuar me gjetjen dhe rekrutimin e bashkëpunëtorëve në Greqi për importimin dhe marrjen e drogës dhe trafikimin e mëtejshëm të saj, ndërsa 64-vjeçari Ioannis Biglakis ishte ngarkuar për komunikimin me anëtarët e tjerë të organizatës kriminale që ndodhen jashtë vendit, duke i përfaqësuar ata për koordinimin e furnizimit dhe financimin e blerjes së sasive që do të trafikohen.

Anëtarë ende të paidentifikuar të organizatës me seli jashtë vendit, ishin ngarkuar me furnizimin, blerjen, vendosjen dhe fshehjen brenda kontejnerëve të ngarkuar me ngarkesë legale me origjinë nga Panamaja dhe me destinacion Greqinë, të sasive të konsiderueshme të kokainës për trafikim të mëtejshëm ndërsa anëtarë ende të paidentifikuar, të organizatës me qendër në Greqi, ishin përgjegjës për trafikimin e mëtejshëm të sasisë së sekuestruar.

Në orët e mëngjesit të datës 22.05.2024, në rrugën “Agios Dimitriou” nr. 43 në Pire, Jasona Mërkuri u kap duke poseduar 180 pako me kokainë, me peshë totale bruto 210 kg e 300 gram. Në kontrollet e banesave dhe automjeteve të të arrestuarve të mësipërm janë gjetur dhe sekuestrua 1 pistoletë e kalibrit 9 mm dhe një krehër me 15 fishekë të kalibrit 9 mm, një sasi e vogël cannabis, 25 fishekë të kalibrave të ndryshëm etj. Janë sekuestruar 131 mijë e 675 euro dhe 30 paund britanikë, 2 motorrë, 17 celularë, 1 USB, 3 GPS, shënime të ndryshme dore.

Hetimi i çështjes vazhdon për zbardhjen e aspekteve të tjera të saj, ndërsa tashmë në kuadër të bashkëpunimit me autoritetet përkatëse të vendeve të tjera po kryhen kërkime për kapjen e anëtarëve të pa arrestuar të organizatës.

Jasona Mërkuri rezulton person i shpallur në kërkim në Greqi, i dënuar me 20 vjet burg dhe 100 mijë euro gjobë, pas kapjes në vitin 2017 të një sasie prej 634 mijë e 246 tableta droge “Captagon”. Një automjet i tij është kapur në Turqi në 2008 me 22 kg heroinë, ku u arrestua vëllai i bashkëshortes së tij, i cili ra sërish në pranga edhe gjatë operacionit të 2017. Ndërkohë në Shqipëri, Mërkuri rezulton pronar i një dyqani rrobash tek “Rruga e Durrësit” në Tiranë.

Sa i përket grekut Ioannis Biglakis, sipas informacioneve të autoriteteve panameze, në vitin 2012, u arrestua nga autoritetet e Kosta Rikës, pasi ishte në pritje të një kërkese ekstradimi nga SHBA, për përfshirjen e tij në një çështje transferimi armësh nga Evropa, në mbështetje të organizatës terroriste FARC, në këmbim të 50 kg kokainë. Për këtë rast ai ka vuajtur dënimin me burg në SHBA.

andrea mërkuri kokainë greqi