TAGS-AT E JAVËS

Kronike 4 Maj 2026, 08:38

“Kisha frikë nga reagimi”/ Detajet nga aksidenti tragjik në Durrës, shoferi i dehur; i ishte pezulluar dy herë patenta

Shkruar nga Pamfleti

“Kisha frikë nga reagimi”/ Detajet nga aksidenti tragjik

Pamje nga vendi i ngjarjes

Drejtuesi i automjetit i identifikuar si Nikoll Radaçi u largua nga vendi i ngjarjes menjëherë pas aksidentit, duke pretenduar se kishte frikë nga reagimi i qytetarëve.

Policia ka dhënë detaje lidhur me aksidentin e ndodhur një ditë më parë në Durrës, ku humbën jetën dy të mitur dhe një tjetër mbeti i plagosur rëndë.

Drejtuesi i automjetit i identifikuar si Nikoll Radaçi u largua nga vendi i ngjarjes menjëherë pas aksidentit, duke pretenduar se kishte frikë nga reagimi i qytetarëve. Më pas ai u identifikua nga patrulla e policisë dhe u shoqërua në komisariat, ku edhe u vu në pranga.

Hetimet e para tregojnë se aksidenti mund të ketë ardhur si pasojë e humbjes së kontrollit mbi automjetin. Dyshimet paraprake lidhen me drejtimin e mjetit në gjendje të dehur.

Verifikimet mbi të kaluarën e drejtuesit tregojnë se ai është ndëshkuar më parë për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

Në vitin 2020 ai është penalizuar për parakalim të gabuar, ndërsa në vitin 2022 është kapur dy herë në tejkalim shpejtësie, me pezullim të lejes së drejtimit për nga një muaj në secilin rast. 

"Oficerët e Policisë Gjyqësore, në drejtimin e Prokurorisë, në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera në vendin e ngjarjes dhe me drejtuesin e automjetit që shkaktoi aksidentin, arrestuan në flagrancë shtetasin N. R., 57 vjeç, banues në lagjen nr. 15, Durrës.

Nga tërësia e veprimeve hetimore rezultoi se shtetasi N. R., duke drejtuar automjetin tip “Mercedes-Benz ML”, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe si pasojë automjeti ka dalë nga rruga duke goditur tre fëmijë të moshave 8, 10 dhe 12 vjeç.

Si pasojë e aksidentit, kanë humbur jetën shtetasit e mitur E. M., 12 vjeç, dhe K. N., 10 vjeç.

Ndërsa i mituri tjetër, 8 vjeç, pasi mori ndihmën e parë mjekësore në Spitalin Rajonal Durrës, u transportua për mjekim të specializuar në Spitalin e Traumës, Tiranë.

Drejtuesi i automjetit, pas aksidentit, është larguar nga vendi i ngjarjes, me pretendimin se kishte frikë nga reagimi i qytetarëve, por është konstatuar nga patrulla e Policisë, e cila e ka shoqëruar në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës.

Nga kryerja e testit të alkoolit rezultoi se shtetasi N. R. e drejtonte automjetin, në gjendje të dehur: testi i parë 0.73 mg/l dhe testi i dytë 0.70 mg/l. Gjithashtu, i është marrë edhe kampion gjaku për ekzaminim toksikologjik.

Nga veprimet e para hetimore, dyshohet se shkak i aksidentit është humbja e kontrollit mbi automjetin, si pasojë e drejtimit të tij, në gjendje të dehur.

Gjithashtu, nga verifikimet e historikut të drejtuesit të automjetit rezulton se ky shtetas është ndëshkuar më parë për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, konkretisht për parakalim të gabuar, në vitin 2020, dhe për tejkalim të shpejtësisë, dy herë, me pezullim të lejes së drejtimit nga 1 muaj, në vitin 2022.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen e dy personave, “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt” (në gjendje të dehur) dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.

Policia e Shtetit iu shpreh familjarëve të të miturve që humbën jetën, ngushëllimet më të ndjera, dhe i uron vogëlushit 8-vjeçar, shërim sa më të shpejtë.

Gjithashtu, fton qytetarët që të bashkëpunojnë me Policinë, për të parandaluar aksidentet rrugore, duke evidentuar dhe ndëshkuar shkelësit e rregullave që sjellin pasoja të rënda për jetën dhe shëndetin e qytetarëve", njofton policia. 

aksidenti tragjik me 2 viktima ne durres reagon policia per aksidentin ne durres

1 Komente

  1. A
    A

    Shtet rrumpallë. Që i fluturojnë makinat mbi diga me 300 km/orë dhe nuk merret asnjë masë, kur I thua policisë natë për natë unaza tek stacioni tren̈it eshte kthyer në Monza thotë ç'numër paten̈te kish. Na ka zënë malli për atë kriminelin Enver Hoxha.

    Lini një Përgjigje