Një tjetër aksident fatal ka ndodhur pasditen e sotme në Durrës, te Kepi i Rodonit. Mësohet se një person rreth 45 vjeç, ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti, teksa udhëtonte me motor.
Raportohet se, shtetasi Arben Karamuço, ka humbur kontrollin e motorit dhe ka dalë nga rruga. Si pasojë e aksidentit, Karamuço ka ndërruar jetë, ndërkohë që një grua e cila ishte me të pasagjere, ka arritur të shpëtojë.
Ky është aksidenti i dytë me pasojë vdekje që shënohet gjatë ditës së sotme në vend. Më herët, një ngjarje tragjike u regjistrua në Durrës. Rreth orës 14:20, në lagjen nr. 15, në zonën e Kënetës, një automjet përplasi tre fëmijë rreth 10 vjeç. Si pasojë e plagëve të marra, dy prej tyre ndërruan jetë në vendngjarje, ndërsa i mituri tjetër u transportua me urgjencë drejt Tiranës për ndihmë mjekësore.
Drejtuesi i automjetit, 57-vjeçari Nikoll Radaçi, banor i zonës, u arrestua nga policia ndërsa rezultoi se ishte në gjendje të dehur. Ai ka qenë me shpejtësi kur mjeti i ka devijuar dhe ka kaluar në trotuar ku luanin tre fëmijët.
Lini një Përgjigje