
Një 70-vjeçar është arrestuar në Has me urdhër të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, pasi akuzohet si i përfshirë në kultivimin e bimëve narkotike dhe mbajtjen pa leje të armëve e municionit luftarak.
Sipas autoriteteve, në pranga ka rënë shtetasi me inicialet Rr.U., ndaj të cilit rëndojnë akuzat për veprat penale të "Kultivimit të bimëve narkotike" dhe "Prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municionit".
Arrestimi u bë pas kontrolleve të zhvilluara në fshatin Vlahen, në Bashkinë Has, ku policia zbuloi tre parcela të mbjella me bimë të dyshuara cannabis sativa. Gjatë operacionit u konstatuan dhe u sekuestruan 1.874 bimë narkotike.
Kontrolli i ushtruar në banesën e 70-vjeçarit çoi në sekuestrimin e 73 fishekëve model 56, kalibër 7.62 mm, tre krehërave të automatikut bosh dhe dy fitilave zjarrëpërcjellës.
Prokuroria dhe Policia njoftojnë se hetimet janë në vijim për të identifikuar persona të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
Lini një Përgjigje