Kristian Gjoni është arrestuar, ndërsa dy gra janë proceduar penalisht në gjendje të lirë, pas sekuestrimit të 46 kilogramëve kanabis në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit.
Lënda narkotike u zbulua më 3 korrik në dy valixhe të mbërritura nga Kanadaja. Sipas policisë, kanabisi ishte në formën e xhelatinës, i ndarë në 89 paketime, me një vlerë të përllogaritur rreth 250 mijë euro.
Në pranga ka rënë Kristian Gjoni, 34 vjeç, ndërsa janë proceduar në gjendje të lirë A. Gj., 31 vjeçe dhe L. Sh., 40 vjeçe.
Sipas policisë, operacioni u zhvillua në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Rinas dhe autoritetet doganore, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative, duke çuar në zbulimin e ngarkesës së dyshuar me lëndë narkotike.
Hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast të dyshuar të trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike nga Kanadaja drejt Shqipërisë.
"Si rezultat i hetimeve dhe veprimeve të shpejta operacionale, të kryera mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Rinas dhe Autoritetet Doganore, finalizuan operacionin policor të koduar “Suitcases”, duke goditur një rast të trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike nga Kanadaja drejt Shqipërisë.
Gjatë operacionit u konstatuan dy valixhe, brenda të cilave ndodheshin 89 paketime të mbyllura me lëndë narkotike të dyshuar cannabis sativa, në formën e xhelatinës, me peshë totale rreth 46 kilogramë, me vlerë tregu rreth 250 000 euro.
Në kuadër të këtij operacioni u arrestua në flagrancë K. Gj., 34 vjeç, si dhe u proceduan penalisht në gjendje të lirë A. Gj., 31 vjeçe, dhe L. Sh., 40 vjeçe.
Vijojnë hetimet, me përdorimin e metodave speciale të hetimit, për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të shtetasve të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.", njofton policia.
Lini një Përgjigje