Aksidentet rrugore kanë pësuar rritje në Shqipëri, ndërsa Tirana kryeson me diferencë numrin e përplasjeve gjatë muajit maj. Të dhënat e publikuara nga INSTAT tregojnë një përkeqësim të situatës krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sipas raportit, gjatë muajit maj janë regjistruar 133 aksidente rrugore, nga 116 që ishin në maj të vitit 2025. Si pasojë e tyre, 181 persona mbetën të vrarë ose të plagosur, ndërsa 157 ishin në të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Edhe bilanci i pesë muajve të parë të vitit është në rritje. Nga janari deri në maj janë regjistruar 547 aksidente rrugore, ose 3.4% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Rritjen më të ndjeshme e ka shënuar Tirana, ku numri i aksidenteve u rrit nga 30 në 53 vetëm gjatë muajit maj. Në rritje rezultojnë edhe Durrësi dhe Vlora, me nga 11 aksidente secili, krahasuar me 7 një vit më parë. Rritje është regjistruar edhe në Elbasan, nga 6 në 7 aksidente, si dhe në Berat, ku është shënuar një aksident, ndërsa një vit më parë nuk ishte regjistruar asnjë.
Në të kundërt, disa qarqe kanë shënuar ulje të numrit të aksidenteve. Shkodra ka regjistruar rënien më të madhe, nga 13 në 7 aksidente. Ulje ka pasur edhe në Lezhë (nga 15 në 11), Korçë (nga 9 në 6) dhe Gjirokastër (nga 8 në 5). Ndërsa Fieri, Dibra dhe Kukësi kanë ruajtur pothuajse të njëjtin nivel si një vit më parë.
Sipas INSTAT, 94% e aksidenteve të regjistruara gjatë muajit maj kanë ardhur si pasojë e sjelljes së drejtuesve të mjeteve. Më të përfshirët në aksidente janë drejtuesit e grupmoshës 25-34 vjeç, të cilët përbëjnë 30.8% të totalit. Po ashtu, dita e diel rezulton më problematikja, me 18% të aksidenteve, ndërsa intervali 08:00-12:00 mbetet periudha kur ndodhin më shumë përplasje në rrugët e vendit.
Lini një Përgjigje