TAGS-AT E JAVËS

Kronike 9 Shtator 2025, 07:04

Masakra e Shkodrës, flet shënjestra e atentatit Erogen Brajoviç: Viktimat i kisha miq, s’kam lidhje me grupe kriminale

Shkruar nga Pamfleti

Masakra e Shkodrës, flet shënjestra e atentatit Erogen

Dora e pabesë e një vrasësi i shkëputi sot nga jeta, teksa ishim së bashku, dhe për mua personalisht kjo është një dhimbje e rëndë dhe plagë që nuk mbyllet kurrë!

Mëngjesin e së hënës dy persona u ekzekutuan me armë zjarri dhe dy të tjerë u plagosën në një lokal në qendër të qytetit të Shkodrës, ndërsa pak orë pas ngjarjes u arrestua Ragip Gila si autori i dyshuar i atentatit mafioz.

Si pasojë e të shtënave me breshëri mbetën të vrarë Armando Pali dhe Liridon Kraja. Ky i fundit ndërroi jetë pak momente pasi mbërriti në spital. Nga të shtënat ka mbetur i plagosur edhe Erogen Vaso, që ishte në tavolinë me viktimat si dhe kamerierja e lokalit, M. K, 25 vjeç.

Dyshimet janë se objektiv i atentatorit ishte Erogen Vaso alias Erogen Brajoviç. Ky i fundit ka reaguar mbrëmjen e së hënës duke u shprehur se viktimat ishin miq të tij.

Ai ka shprehur ngushëllimet për familjet e viktimave, ndërsa e cilëson ngjarjen e rëndë një dhimbje të madhe personale dhe plagë që nuk mbyllet.

Në vijim Vaso ka sqaruar se distancohet nga çdo aludim që e lidh atë me grupe apo emra të caktuar në Shkodër, duke theksuar se është sipërmarrës dhe me të kaluar në sport e në jetën publike të qytetit.

Autori i dyshuar i krimit, Ragip Gila, me një skafandër motoristësh i është afruar lokalit ku ndodheshin Vaso dhe dy miqtë e tij dhe ka qëlluar me breshëri. Më pas Gila ka tentuar të largohet, fillimisht në këmbë dhe më pas ka rrëmbyer një automjet, me të cilin është aksidentuar, duke mos arritur të realizojë planin e arratisjes. Ai është kapur nga efektivët e policisë në Zall Kir, ndërsa referuar raportimeve, në dëshminë e parë të dhënë ka pohuar se objektivi i sulmit me armë ishte Erogen Vaso. Gila njihet si person me precedentë të theksuar kriminalë, i liruar nga burgu pak muaj më parë, ndërsa ishte arrestuar pas një operacioni policor ku në banesën e tij iu gjetën nga armët dhe municionet luftarake, te kanabisi, maska, paruke, anti-plumb, etj. 

Reagimi i plotë i Erogen Vasos

Unë, Erogen Millan Vaso (Brajoviç), bëj këtë reagim për mediat dhe opinionin publik.

Në këto momente të vështira, jo vetëm për mua, i shpreh ngushëllimet e ndjera familjarëve të dy miqve të mi, me të cilët ishim së bashku sot në mëngjes, në një kafe në qendër të Shkodrës. Ata ishin qytetarë model të Shkodrës, familjarë të respektuar nga gjithë komuniteti. Dora e pabesë e një vrasësi i shkëputi sot nga jeta, teksa ishim së bashku, dhe për mua personalisht kjo është një dhimbje e rëndë dhe plagë që nuk mbyllet kurrë!

Qofshin në paqe me Zotin Armando dhe Geridoni! Zoti u dhëntë forcë familjeve të tyre! Gjithashtu, i uroj shërim të shpejtë vajzës së plagosur në këtë ngjarje.

Më duhet të distancohem plotësisht nga informacionet që lidhin personin tim me emra dhe grupe të caktuara në Shkodër.

Jam sipërmarrës në disa biznese, një pjesë të të cilave i kam trashëguar nga babai im, gjithashtu sipërmarrës deri në fund të jetës, ish-futbollist i Shkodrës dhe i Kombëtares Shqiptare.

Unë kam qenë, për shkak edhe të traditës familjare, ish-futbollist i ekipit të Vllaznisë dhe ish-president i klubit të futbollit Tërbuni i Pukës. Familja ime ka pasur një histori përndjekjeje politike para viteve ’90, por edhe vite më pas, për shkak se ka përfaqësuar komunitetin malazez në qarkun e Shkodrës. Për interesat e këtij komuniteti dhe të Shkodrës kam shërbyer me korrektësi për disa vite si anëtar i Këshillit Bashkiak të qytetit tim, ashtu sikurse kishte shërbyer edhe njëri prej miqve të mi të afërt që humbi jetën sot.

Jam informuar në spital se autori është ndaluar dhe shpresoj që të zbardhen sa më shpejt motivet e këtij akti të rëndë tragjik! Sa për lidhjet e tjera që aludohen në media, sqaroj se duhet lënë në dorë të institucioneve të ligjit trajtimi i këtyre çështjeve.

 

 

Lini një Përgjigje