
Gjykata e Posaçme ka ndryshuar masën e sigurisë nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie” për Gjuljo Vuksani personi i vetëm që mbahej i arrestuar për masakrën e Dobraçit, i dyshuar se siguroi automjetin tip Range Rover që u përdor nga autorët për të vrarë dy të rinj.
Vendimi u dha nga gjyqtari i Posaçëm Erjon Çela, i cili pranoi kërkesën e SPAK për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj tij.
Vuksani u arrestua nëntorin e vitit të kaluar me urdhër të prokurores Elida Kackini, si person i përfshirë në masakrën e Dobracit, ku u ekzekutuan Arlind Bushati dhe Hamza Lici si dhe humbën jetën çifti i bashkëshortëve Bashkim dhe Flutura Basha.
Masakra ndodhi më 30 tetor të vitit 2024 në zonën e Dobraçit, ku persona të paidentifikuar qëlluan nga një automjet drejt makinës ku udhëtonin dy të rinjtë, Hamza Lici dhe Arlind Bushati.
Nga breshëria e plumbave, automjeti ku udhëtonin dy viktimat humbi kontrollin, për pasojë u përplas me një motor ku udhëtonin Flutura dhe Bashkim Basha, të cilët nuk kishin lidhje me ngjarjen. Në automjetin e viktimave, dyshohet se ndodhej një person i tretë, i ulur në sendiljen e pasme, por prokuroria nuk ka folur zyrtarisht mbi këtë dyshim.
Pasi prokuroria e Shkodrës nisi hetimet për këtë çështje, pak ditë më pas shpalli moskompetencë duke ia referuar dosjen Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion për grup të strukturuar kriminal, vepër penale që është kompetencë e SPAK. Për ngjarjen e Dobraçit janë kryer disa veprime nga prokurorja Elida Kackini, teksa çështja është ende nën hetim.
Lini një Përgjigje