TAGS-AT E JAVËS

Kronike 3 Mars 2026, 13:26

Mashtrimi përmes call center-ave, SPAK kërkon konfiskimin e pasurive me vlerë 2 mln euro për dy persona (Emrat)

Shkruar nga Pamfleti
Mashtrimi përmes call center-ave, SPAK kërkon konfiskimin e pasurive
Call Center

Sipas Prokurorisë Speciale, totali i të gjithë vlerës së pasurive për të cilat është kërkuar konfiskimi për të dy shtetasit, si dhe personat e lidhur me ta është: 1,976, 870 dhe  9,330,062 lekë

SPAK kërkon konfiskimin e pasurive të dy anëtarëve të një organizate kriminale. Bëhet fjalë për shtetasit Jusel Mici dhe Mendim Domi, të cilët janë gjykuar në GJKKO për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik”, kryer në bashkëpunim, në formën e posaçme të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 143/b/1, 28/4, 333/a dhe 334 të K.Penal.

Në një njoftim zyrtar, SPAK bën të ditur se të dy shtetasit, Mici dhe Domi, janë subjekte të hetimit pasuror sipas Ligjit nr. 10192, datë 3.12.2009.

Në këtë kuadër, SPAK bën të ditur se mbi bazën e dispozitave të Ligjit nr. 10192 datë 3.12.2009 “Për Parandalimin dhe Goditjen e Krimit të Organizuar, Trafikimit, Korrupsionit dhe Krimeve të tjera Nëpërmjet Masave Parandaluese kundër Pasurisë”, ndryshuar me ligjin nr.70/2017, janë identifikuar pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme të personave nën hetim pasuror dhe personave të lidhur me ta.

Si rezultat i hetimeve të kryera, pasuritë e sekuestruara rezultuan të pajustifikuara nga burime të ligjshme, për të cilat prezumohet se janë rezultat i veprimtarisë kriminale. Sipas Prokurorisë Speciale, totali i të gjithë vlerës së pasurive për të cilat është kërkuar konfiskimi për të dy shtetasit, si dhe personat e lidhur me ta është: 1,976, 870 dhe  9,330,062 lekë.

Pasuritë për të cilat kërkohet konfiskimi:

Apartamente dhe njësi banimi në Tiranë;

Njësi shërbimi me sipërfaqe të konsiderueshme në zonën e Bulevardit të Ri;

Vila në Gjirin e Lalzit dhe në komplekse turistike rezidenciale;

Sipërfaqe toke (arë) në zonat Mazrek, Kashar dhe Sauk;

Garazhe në Njësinë Administrative nr. 9, Tiranë;

Automjete të markave BMË dhe Audi;

Kuota pjesëmarrjeje në shoqërinë tregtare “SUPER FOODS” sh.p.k.;

Llogari bankare në Union Bank me balanca në euro dhe lekë.

Gjykimi dhe dënimi

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtaret Etleva Deda, Flora Hajredinaj dhe Rudina Palloj, vendosi 8 vite burg për Jusel Micin dhe 7 vite e 4 muaj burg për Mendim Domi.

Mici akuzohet për krijimin e grupit të strukturuar kriminal, mashtrimit kompjuterik, fshehje e të ardhurave dhe pastrim i produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale.

Ndërsa Domi akuzohet për kryerjen e veprës penale të “Mashtrimit kompjuterik”, “Pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal”, “Fshehjes së të ardhurave” dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale”, në bashkëpunim me Micin.

Mashtrimi “on line” lidhej me investime shumash në letra me vlerë dhe kriptovaluta, përdorimin e shoqërive fiktive (Capitalcom Investment, Direct Coin Limited, Lead Secure Ltd, Finex Group Ltd, Futurus X OU, Luxor, Mm Consulting S.R.S.S. Shoqëri Scs Smart Coomunications Services S.R.L.S Estra dhe të tjera) për kalimin e vlerave monetare të mashtrimit.

Këto shoqëri që përdoreshin për aktivitetin kriminal, duke hapur llogari rrjedhëse të huaja, duke menaxhuar faqe interneti që reklamonin aktivitetin, si dhe përdornin call center në Itali dhe Shqipëri, nëpërmjet të cilave kontaktonin klientë, duke i bindur të bëheshin pjesë e programeve të rreme të investimit.

Autorët i propozonin viktimave, të derdhnin shuma të konsiderueshme parash nëpërmjet transferimeve on line në llogaritë rrjedhëse të huaja, të kompanive të mësipërme. Me marrjen e menjëhershme të këtyre shumave, nga grupi i strukturuar, këto para zhdukeshin duke u konvertuar kryesisht në kriptovaluta. /Pamfleti/

 

Lini një Përgjigje