
Policia e Shtetit ka publikuar një përmbledhje lidhur me veprimtarinë e saj gjatë muajit gusht, ku një vëmendje i është kushtuar identifikimit të të dyshuarve si zjarrvënës dhe menaxhimin e situatave me zjarret.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë muajit gusht Policia e Shtetit ka finalizuar:
90 operacione policore;
Janë finalizuar në bashkëpunim me partnerët, 22 faza në kuadër të operacioneve të koduara “The Wanted” dhe “Operacionalja”, për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar;
Janë vënë në pranga 664 shtetas, për vepra penale të ndryshme, 61 nga të cilët ishin në kërkim;
Janë asgjësuar rreth 23 200 bimë dhe fidanë Cannabisi, si dhe janë sekuestruar rreth 340 kg Cannabis (320 kg në trajtë boçesh, 17 kg në trajtë çokollate dhe 1.2 kg me përqindje të lartë TCH), 22.5 litra vaj Cannabisi, rreth 2 kg Kokainë dhe qindra doza të këtyre dy lëndëve;
Janë sekuestruar 35 armë zjarri, 8 armë gjahu/sportive, 3 granata, pjesë armësh dhe dhjetëra armë të ftohta;
Janë zbardhur 10 ngjarje kriminale, ndër to: vrasje, plagosje me mjete prerëse, shkatërrim prone me eksploziv dhe djegie të qëllimshme pronash;
Janë parandaluar 6 ngjarje kriminale, që mund të kryheshin nga shtetas që lëviznin të armatosur;
Është parandaluar përshkallëzimi i 9 konflikteve me armë apo sende të forta, si dhe i 3 rasteve të tentativës për vjedhje;
Janë sekuestruar pasuri me vlerë 26 milionë e 500 000 euro, rreth 6 200 000 para cash në valuta të ndryshme dhe medikamente të kontrabanduara me vlerë 35 000 euro;
Gjatë operacionit të koduar “Dërgesa”, i zhvilluar nga strukturat e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me partnerët italianë, u godit trafikimi i armëve të zjarrit, nga Shqipëria në Itali;
Gjatë operacioneve të koduara “Grupi”, “Shape”, “Pako 6” dhe “Bashkëpunimi”, Policia e qarkut Tiranë goditi veprimtaritë kriminale në fushën e narkotikëve, që kryheshin kryesisht në bashkëpunim;
Gjatë operacioneve të koduara “Në gjurmë”, “Eterna” dhe “Stuhia”, Policia e qarkut Vlorë vuri në pranga 3 shtetas me rrezikshmëri të lartë shoqërore, të cilët ishin të shpallur në kërkim për vrasje/tentativë për vrasje, si dhe 5 shtetas që i shoqëronin të armatosur dhe i strehonin;
Janë finalizuar 10 operacione për zbardhjen e vjedhjeve dhe janë zbardhur 20 vjedhje të kryera më parë, në një rast u rrezikua seriozisht jeta e punonjësve të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës pasi gjatë ndjekjes së dy personave për vjedhje me dhunë dhe armë, autorët qëlluan me armë zjarri ndaj punonjësve të Policisë.
Janë goditur 8 raste në fushën e kontrabandës, 6 raste të transportimit të emigrantëve që synojnë të kalojnë kufirin ilegalisht, 4 raste të shfrytëzimit të prostitucionit dhe 9 raste të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit;
Janë bllokuar 124 mjete lundruese, pasi drejtuesit e tyre cenuan perimetrin e sigurisë për pushuesit dhe/ose ishin të papajisur me dokumentacionin që kërkon ligji;
Janë konstatuar nga kontrollet e kryera në bashkëpunim me struktura të tjera shtetërore, dhjetëra raste të ndërtimeve të paligjshme, si dhe janë kryer hetime për identifikimin dhe arrestimin e shtetasve përgjegjës;
Në bashkëpunim me shërbimet zjarrfikëse dhe Forcat e Armatosura është reaguar menjëherë për parandalimin e përhapjes së zjarreve. Hetimet dhe puna policore rezultuan me arrestimin dhe procedimin e 76 autorëve të dyshuar për zjarrvënie të qëllimshme apo nga pakujdesia;
Janë proceduar penalisht 21 drejtues automjetesh, sepse duke parkuar dyshe, penguan qarkullimin e automjeteve të urgjencës dhe lëvizjen e qytetarëve;
Policia e Tiranës dhe policitë e qarqeve bregdetare kanë kryer kontrolle të përditshme, me mjete teknologjike zhurmëmatëse, te subjektet që gjenerojnë muzikë. Administratorët e subjekteve që u gjetën në tejkalim të nivelit dhe/ose të orarit, u ndëshkuan penalisht dhe/ose administrativisht;
Iu është dhënë ndihmë në tokë, në det dhe në liqene 115 shtetasve (kryesisht turistë) që u gjendën në vështirësi.
Gjithashtu, në bashkëpunim me qytetarët, është bërë e mundur gjetja dhe kthimi te familjarët, i 8 fëmijëve që ishin larguar nga vendet ku pushonin.
Policia e Korçës dhe ajo e Beratit hartuan dhe zbatuan plane masash që garantuan mbarëvajtjen e Festës së Birrës dhe të pelegrinazhit në malin e Tomorrit.
Lini një Përgjigje