
Në listën e zezë të eliminimeve të Laert Haxhiut ka qenë edhe një avokat nga Lushnja...
Zbardhen detajet bombë nga dosja e Prokurorisë për shkatërrimin e grupit të Laert Haxhiut. Rrëfimi i Artan (Marjus) Tafanit bëri që Prokuroria e Elbasanit të zbardhë 6 vrasje që kanë tronditur vendin, teksa janë duke u kryer hetime dhe për disa raste të tjera.
Grupi që drejtoi hetimet përbëhet nga prokurorët e hekurt Kreshnik Ajazi, Hektor Mushi dhe Artur Ismailukaj. Por në kuadër të rrëfimeve dhe hetimeve që ata kanë kryer, kanë zbuluar se Laert Haxhiu kishte shkuar deri aty sa të mendonte të ekzekutonte dy prokurore dhe një avokat.
Sipas burimeve të "Pamfletit", Prokurorët e Elbasanit kanë zbuluar se prokurorja e SPAK, Doloreza Musabelliu ishte futur në listë për t'u vrarë, së bashku me prokuroren e Lushnjes, Merita Selimi. Po ashtu ishte planifikuar dhe vrasja e avokatit nga Lushnja, Adriatik Guri (Doga).
Musabelliu më herët ka qenë Prokurore te Krimet e Rënda, ndërsa tani në SPAK. Ajo është prokurorja që hetoi masakrën e Lushnjes, ku u vranë Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha më 11 tetor 2017 dhe u plagos Xhulio Shkurti, nipi i Aldo Bares. Autor i kësaj masakre është Laert Haxhiu, i dënuar me 31-vite burg.
Për këtë arsye ky i fundit ka nisur ta monitorojë prokuroren që po e hetonte, pasi mësohet se ka pasur dhe foto të fëmijëve të saj. Më pas është planifikuar vrasja e saj, por fatmirësisht grupi nuk ka shkuar deri aty.
Musabelliu cilësohet si një “prokurore e hekurt”. Ajo kaloi me sukses Vettingun dhe më pas kaloi direkt në SPAK.
Sa i takon prokurores tjetër, Merita Selimi, ajo ishte Prokurore në Lushnje, pasi në korrik u shkarkua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Edhe ajo ka pasur lidhje me dosjen e tij. Laert Hxhiu u dënua pikërisht për masakrën e Lushnjes dhe ka dashur të eliminojë prokuroren për të shmangur qepjen e letrave. Sa i takon avokatit, nuk dihet ende arsyeja se përse ishte futur në rreth të kuq.
Rrëfimi i Artan Tafanit
Artan Tafani ka treguar me detaje ngjarjet kriminale ku ai ka marrë pjesë bashkë me anëtarët e tjerë të grupit të Laert Haxhiut.
39-vjeçari u ka treguar edhe motivet e vrasjeve të kryera nga grupi i tij. Tafani u tha hetuesve se Alban Semakun, ushtarin e Aldo Bares, e vranë pasi Laerti kishte mësuar se Semaku ka deklaruar se ai do të vriste njerëzit e familjes së tij.
“Alban Semakun e njihja më herët dhe e dija që ai konsumonte heroinë. Atë ditë e gënjeva duke i thënë hajde se do të gjej unë heroinë se e kam të fshehur në një vend. Kam shkuar, e kam marrë me makinë te lagjia e tij dhe pastaj shkuam në Peqin. I thashë që e kam fshehur në një mur te disa ferra dhe ai nisi të kërkojë për heroinën. Në këtë moment e qëlluam me një plumb në kokë dhe dy në trup. Pasi e vramë e lamë trupin e tij në ferra dhe ikëm”, ka treguar ai.
Për vrasjen e Çajup Selimit, Tafani tha se bashkë me 5 persona të tjerë e bënë në këmbim të një pagese.
“Porosinë për të vrarë Çajup Selimin e mori Laerti dhe mesa kujtoj e kishin paguar 50 mijë Euro. Çajupin e vramë te shkallët e pallatit ku jetonte. Ersiano Abedini dhe Bujar Abedini ishin ata që na mbanin në kontakt për lëvizjet e Çajupit. Në vrasje morën pjesë edhe Lulzim Spahia e Ligor Romaçka”, tregohet në dosje.
Sipas Tafanit, Laert Haxhiu nuk kurseu as njerëzit e tij. Në dosjen hetimore, thuhet se Fridman Xhaferaj u vra me urdhër të kushëririt të tij Laert Haxhiu, një ditë pas vrasjes së biznesmenit Çajup Selimi. /Pamfleti