
Një 21-vjeçar shqiptar dhe një 24-vjeçar italian janë arrestuar në Milano, në zonën e Vermezzos, pasi akuzohen për trafik droge. Gjatë operacionit, policia u gjeti 500 gramë hashash dhe 0.9 gramë kokainë, të gatshme për shitje.
Hetimet zbuluan se të dy të rinjtë përdornin kode sekrete për të fshehur aktivitetin e tyre ilegal. Në një bisedë të përgjuar, njëri prej tyre tha: “Po kthehem nga Magenta me paketën e McDonald’s… sanduiçin”, duke iu referuar drogës.
Autoritetet italiane thanë se ky rast tregon për zhvillimin e trafikut të drogës në zonat e Abbiatense dhe Magentino, ku shpesh prisnin blerësit e drogës.
Parkingu i restorantit “McDonald’s” në Magenta ishte një nga vendet kryesore ku bëhej shkëmbimi i parave, po ashtu edhe zona pranë rreth-rrotullimit Boffalora-Malpensa.
Një muaj më parë, katër persona të tjerë u arrestuan në Sedriano për çështje të lidhura me drogën, duke përfshirë një grua 36-vjeçare nga Brescia. Operacioni çoi në sekuestrimin e tetë kilogramëve hashash dhe rreth një kilogrami marihuanë.
Lini një Përgjigje