
Një ndjekje policore e shoqëruar me përplasje automjetesh është regjistruar mesditën e së hënës në Durrës. Sipas të dhënave paraprake, një person i shpallur në kërkim ka tentuar t’u shmanget forcave "Shqiponja", duke u larguar me automjet nëpër rrugët e qytetit.
Gjatë lëvizjes, ai drejtonte mjetin me shpejtësi të lartë. Në afërsi të tregut të fruta-perimeve, automjeti i tij është përfshirë në një aksident ku janë dëmtuar edhe katër mjete të tjera.
Pas përplasjes, personi në kërkim ka lënë automjetin në vendngjarje dhe është larguar me vrap. Pavarësisht ndjekjes, ai ka arritur të humbasë gjurmët.
Menjëherë pas incidentit, policia ka shtuar kontrollet në disa zona të Durrësit dhe ka ngritur pika kontrolli për identifikimin dhe kapjen e tij.
Nga ngjarja nuk raportohet për persona të plagosur. Sipas informacioneve paraprake, aksidenti ka shkaktuar vetëm dëme materiale, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të rastit dhe sqarimin e rrethanave.
Lini një Përgjigje