
Policia e Vlorës ka nisur këtë të premte një aksion të gjerë kontrollesh në disa nga pikat më kryesore të qytetit bregdetar. Efektivët janë përqendruar kryesisht te automjetet luksoze dhe mjetet me xhama të zinj, por edhe te makinat e dyshuara që mund të përdoren nga persona në shkelje të ligjit.
Gjatë orëve të para të aksionit, janë vendosur dhjetëra masa administrative. Shkeljet më të shpeshta lidhen me mosvendosjen e rripit të sigurimit, përdorimin e telefonit gjatë drejtimit të automjetit, tejkalimin e shpejtësisë, si dhe mungesën e dokumentacionit për lejen e xhamave të zinj.
Burime pranë policisë thanë se kontrollet do të vijojnë përgjatë fundjavës, me qëllim rritjen e sigurisë në qytet dhe evidentimin e personave të shpallur në kërkim apo atyre që fshihen pas makinave luksoze.
Lini një Përgjigje