TAGS-AT E JAVËS

Kronike 4 Qershor 2025, 13:55

Porositi vrasjen e Liridona Ademajt, Naim Murseli: Do të kërkoj dënim të përjetshëm për veten nëse vërtetohen pretendimet

Shkruar nga Pamfleti

Porositi vrasjen e Liridona Ademajt, Naim Murseli: Do të kërkoj

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës ka filluar seanca gjyqësore ndaj të akuzuarve për vrasjen e Liridona Ademajt.

Naim Murseli, i dyshuari kryesor për vrasjen e Liridona Ademajt, është deklaruar i pafajshëm.

Gjithashtu, ai ka thënë se nëse vërtetohen pretendimet e Prokurorisë, ai vetë do të kërkojë dënim të përjetshëm për veten.

“Unë deklarohem i pafajshëm. Sa i përket aktakuzës, dua të shtoj se nëse të vërtetohen pretendimet e prokurorisë, për vetën time do të kërkoj dënim të përjetshëm”, deklaroi Murseli.

Kushtrim Kokalla është deklaruar i pafajshëm, ndërkaq Granit Plava është mbrojtur në heshtje. 

Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla janë dërguar në sallë të prangosur e të rrethuar nga policët. Në seancë janë paraqitur edhe familjarët e Ademajt në seancën gjyqësore për ta ndjekur gjykimin.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka konfirmuar aktakuzën ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, të cilët ngarkohen për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt më 29 nëntor 2023.

Në seancën fillestare të mbajtur më 31 janar të këtij viti, bashkëshorti i Liridonës, Naim Murseli, është deklaruar i pafajshëm, Granit Plava është mbrojtur në heshtje, teksa Kushtrim Kokalla s’është deklaruar fare rreth fajësisë.

I vetmi që e kishte pranuar fajësinë ishte Tom Dodaj, i cili akuzohej për shitjen e armës me të cilën u krye vrasja. Sipas aktakuzës ai ua kishte shitur armën Naim Murselit e Granit Plavës për 280 euro. Për këtë vepër, Gjykata e kishte dënuar Dodajn me pesë vjet burgim e pesë mijë euro gjobë.

Liridona Ademaj u vra në hyrje të fshatit Bërrnicë të Prishtinës, teksa po kthehej në shtëpinë e saj me bashkëshortin dhe dy fëmijët. Ajo u qëllua me plumb në qafë

Rasti fillimisht ishte cilësuar si “Grabitje me pasoja të vrasjes”, duke u bazuar në rrëfimin e Naim Murselit.

Në raportin 24 orësh të Policisë, një ditë pas ngjarjes, thuhej se viktima ka qenë në veturë me bashkëshortin dhe dy fëmijët, kur një person i panjohur i armatosur i ka ndaluar dhe ua ka kërkuar të gjitha gjërat me vlerë dhe pastaj ka qëlluar me armë zjarri.

Lini një Përgjigje