Kronike12 Shkurt 2024, 08:44

Rrjetet sociale marrin sërish jetë njerëzish/  E reja në Kamëz u hodh nga tarraca pasi i publikuan foto intime, arrestohet 39-vjeçari

Shkruar nga Pamfleti

Rrjetet sociale marrin sërish jetë njerëzish/  E reja

Policia ka zbardhur ngjarjen e rëndë dje në Kamëz, ku një 27-vjeçare ra nga tarraca e banesës.

Sipas uniformave blu, kemi të bëjmë me një tjetër vetëvrasje për shkak të rrjeteve sociale.

Bëhet me dije se është arrestuar një person, pasi i ka publikuar foto intime vajzës dhe kjo ka bërë që ajo t’i japë fund jetës. 

Në pranga për këtë ngjarje ka rënë një personazh i njohur i TikTok-ut, Altin Çoku, i cili dyshohet se ia ka publikuar foton intime vajzës në rrjetet sociale. Kjo foto më pas ka qarkulluar edhe në rrjete të tjera, si në grupe Telegrami. 

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, nisur nga dyshimet e krijuara mbi ngjarjen e ndodhur më datë 10.02.2024, në rrugën “Teuta”, ku u vetëhodh nga tarraca e katit të 4-t, një shtetase, e cila si pasojë e dëmtimeve të marra humbi jetën, kanë vijuar veprimet hetimore të thelluara, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për të bërë të mundur zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. Në vijim të veprimeve hetimore të kryera, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 5 bënë ndalimin me iniciativë të shtetasit: – A. Ç., 39 vjeç, për veprën penale “Shkaktimi i vetëvrasjes”. Ky shtetas dyshohet se ka publikuar një foto intime të 27-vjeçares, e cila dyshohet se për këtë shkak është vetëhedhur nga tarraca e katit të 4-t dhe si pasojë e dëmtimeve të marra, ka humbur jetën. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, tha policia.

Kjo ngjarje vjen pas asaj të pak javëve më parë, ku një grua i dha fund jetës edhe për shkak të bullizimit në Tik Tok. Vete ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka paralajmëruar marrjen e masave për rrjetet sociale, duke kufizuar moshën e aksesit në to.