Një ngjarje e rëndë është shënuar në fshatin Karkavec, në Njësinë Administrative Qukës të bashkisë së Prrenjasit, ku një 69-vjeçar është vënë në pranga pasi dyshohet se ka tentuar të djegë me benzinë bashkëshorten e tij 67-vjeçare.
Sipas informacioneve paraprake, i moshuari, i cili dyshohet se ishte nën efektin e alkoolit, fillimisht ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij, Minushe Danga. Më pas, ai i ka marrë me forcë telefonin celular dhe, gjatë përshkallëzimit të konfliktit, dyshohet se e ka spërkatur me benzinë dhe i ka vënë flakën.
Burime paraprake bëjnë me dije se pas ngjarjes mund të fshihen motive xhelozie, megjithatë rrethanat dhe motivet e plota janë ende objekt hetimi nga autoritetet.
Ngjarja ka ndodhur pasditen e së hënës në banesën e çiftit, të cilët jetonin të vetëm, pasi djali i tyre ndodhet emigrant në Greqi. Sipas të dhënave paraprake, gruaja kishte qenë prej kohësh viktimë e dhunës në familje dhe gjatë tre muajve të fundit ishte e pajisur me urdhër mbrojtjeje.
Pas incidentit, 67-vjeçarja u transportua fillimisht në Spitalin Rajonal të Elbasanit për të marrë ndihmën e parë mjekësore dhe më pas u dërgua në repartin e djegieve në Tiranë për trajtim të specializuar. Burime spitalore bëjnë me dije se ajo ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Policia ndërhyri pas njoftimit të fqinjëve dhe arrestoi autorin e dyshuar, ndërsa grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, e cila ka tronditur banorët e zonës. Në përfundim të hetimeve paraprake, autoritetet pritet të përcaktojnë edhe akuzat që do të ngrihen ndaj 69-vjeçarit.
Lini një Përgjigje