Kronike26 Shkurt 2024, 20:04

Vrau me thikë fqinjin pak ditë më parë, shpërthim tritoli në banesën e Ilir Koçiles në Durrës

Shkruar nga Pamfleti
Vrau me thikë fqinjin pak ditë më parë, shpërthim
Foto nga vendi i ngjarjes dhe majtas Ilir Koçilja në gjykatë

46-vjeçari Halil Koka u vra me thikë në zemër nga fqinji i tij Ilir Koçilja mesditen e 14 shkurtit...

Një shpërthim me tritol ka ndodhur në një banesë në afërsi të qendrës së Durrësit. Ngjarja ka ndodhur pranë shkollës "Bedrie Bebeziqi". 

Burime nga vendngjarja thonë se ka pasur shpërthim tritoli në banesën e Ilir Koçiles, i cili dyshohet se vrau me thikë Halil Kokën.

46-vjeçari Halil Koka u vra me thikë në zemër nga fqinji i tij Ilir Koçilja mesditen e 14 shkurtit, në lagjen numër 4 të qytetit të Durrësit. Sherri mes tyre nisi në oborrin e pallatit e më pas u zhvendos disa metra më larg, në rrugën kryesore, përpara shkollës 9-vjeçare “Jusuf Puka”.

Pas përplasjes fizike mes tyre, 46-vjeçari tentoi të largohej me vrap, por u ndoq nga agresori i cili e qëlloi dy herë me thikë. Ambulanca mbërriti menjëherë në vendngjarje, por Koka ndërroi jetë gjatë transportimit në spital. 35-vjeçari, Koçilja, personi që shihni në foto, mundi të arratisej për tre orë, derisa forcat ‘Shqiponja’ e prangosën në lagjen numër 11, si dhe sekuestruan thikën që mbante në xhep.

Vrau me thikë fqinjin pak ditë më parë, shpërthim
Ilir Koçilja

Për të zbardhur motivet e vrasjes, hetuesit kanë marrë në pyetje familjaret e viktimës dhe dëshmitarët okularë të ngjarjes. Mbi bazën e dëshmive është ngritur pista e parë e hetimeve. Autori, Ilir Koçilja i kishte marrë një shumë parash borxh Halil Kokës dhe refuzonte t’i shlyente. Ky besohet se është motivi kryesor i sherrit mes tyre që degjeneroi në vrasje. Sakaq të tjerë dëshmitarë i thanë policisë se sherri ka lindur për një vendparkim në lagje.

Koçilja është një person me probleme të shëndetit mendor dhe ka qenë problematik në zonë. Policia po heton nëse shpërthimi sot ka lidhje me vrasjen, teksa po kërkohet mbi autorët, pasi ngjarja ka ndodhur në një kohë kur zona është e populluar. Mësohet se nuk ka pasur dëme të shumta materiale, por vetëm panik te banorët e pallatit.

Policia ka reaguar mbi ngjarjen dhe shprehet se në banesë nuk ka pasur njerëz. Tritoli është vendosur pranë dritares dhe ka vetëm dëme materiale.

Më datë 26.02.2024, rreth orës 19:55, në lagjen nr.4, Durrës, në pjesën e jashtme të dritares së banesës së shtetasit I. K., në të cilën nuk banon njeri, është hedhur dhe ka shpërthyer një sasi e vogël lëndë plasëse duke shkaktuar vetëm dëme materiale.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për zbardhjen e ngjarjes identifikim dhe kapjen e autorit/ve”, tha policia.