TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia 7 Qershor 2026, 10:28

Si qarkullonin paratë e kokainës përmes 14 kompanive në Londër; "Çunat e Ibizës" kërkojnë të sjellin Hilton-in në kullën 14 katëshe të Lalzit

Shkruar nga Pamfleti

Erald Mata, Agim Isaku, Safet Isaku, të tre nga Dibra, të tre të skeduar nga drejtësia në Londër si pjesë e një grupi trafiku droge e pastrimi parash.

Si qarkullonin paratë e kokainës përmes 14 kompanive në

 Kompania Blessed Property Invest sh.p.k që do ndërtojë kullën 14 kate po kërkon të sjellë brandin HILTON në Gjirin e Lalzit. A e di brand-i HILTON se financuesit e kullës dhe poseduesit e lejes janë të skeduar për trafik droge e pastrim parash?

Erald Mata, pronar i 100 përqind i “BPI - Blessed Property Invest” sh.p.k., dhe administratori Agim Isaku, morën firmën e Kryeministrit Edi Rama për kullën 14 katëshe në Gjirin e Lalzit. Vendimi Nr. 34 i Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit, datë 18.04.2025, i hapi rrugë një kompleksi me lartësi +47.52 metra dhe 10.301 metra katrorë ndërtim mbi tokë. Shoqëria me kapital 875 euro u themelua vetëm 59 ditë para lejes. Pesëmbëdhjetë kompani të lidhura me ta janë përdorur për të pastruar para.

Ajo që zbulon hetimi i Pamfletit është rrjeti i kompanive në Londër;  të gjitha të përdorura për të qarkulluar paratë e kokainës.

Dymbëdhjetë kompani në Mbretërinë e Bashkuar, të lidhura me Agim dhe Safet Isakun, kanë shërbyer si rrotë për transferimin e parave të pista nëpërmjet sistemit bankar. Paratë futeshin në një kompani, lëviznin te tjetra, pastroheshin dhe dërgoheshin në Shqipëri për t'u investuar në ndërtim dhe jetën e luksit.

Para se të merrnin lejen për kullën, Agim Isaku dhe Safet Isaku kishhin ndërtuar një rrjet kompanish në Londër, të gjitha me adresë Flat 1, 40 Queensway, London W2 3RS. SOFITEL HOLDINGS LTD dhe SOFITEL INVESTMENTS LTD u shpërbënë me forcë më 7 shtator 2021. BRASERIA LTD dhe GREEN OLIVE RESTAURANT LTD u shpërbënë më 15 shkurt 2022. NOAH’S HOLDINGS LTD u shpërbë më 6 gusht 2024. AL-TOURS LIMITED u shpërbë më 2 nëntor 2021. ITALIAN DELI LTD dhe GREEK FARM LTD u shpërbënë më 19 tetor e 9 nëntor 2021. Asnjëra prej tyre nuk ka paraqitur më shumë se një vit llogari. Disa nuk kanë paraqitur asnjë llogari.

QUEENSWAY BREAKFAST CLUB LTD, ku Safet Isaku është drejtor aktiv dhe pronar përfitues me mbi 75 për qind, nuk ka paraqitur asnjë llogari në 4.5 vjet. Westminster City Council kërkoi likuidimin për borxhe të prapambetura. Më 17 maj 2023, Gjykata e Lartë Britanike, Business & Property Court, dha urdhër likuidimi të detyruar. 

OLD SPICE RESTAURANT LTD, MINT LEAF FOOD LTD dhe CAFE 24 LTD, të tria të themeluara më 29 tetor 2019, kanë vetëm një vit llogari të paraqitura dhe sot janë me propozim çregjistrimi.

BLESSED PROPERTY INVEST LTD, kompania britanike me të njëjtin emër si subjekti zhvillues shqiptar, ka deklaruar zero aktivitet tregtar për katër vjet rresht. Më 20 janar 2026, Companies House lëshoi njoftimin e parë për çregjistrim të detyruar. Më 31 janar 2026, vetëm 11 ditë më vonë, njoftimi u ndërpre. Konfirmimi vjetor i shoqërisë mbetet i pashlyer që nga 8 nëntori 2025.

Modeli i tranzicionit të drejtorëve përsëritet në pesë kompani. Kompania themelohet me një drejtor të tretë; Anisa Qiraxhi, Ilir Ismailovic, Artenis Kunxhiu. Maj-Qershor 2020, Safet Isaku hyn si drejtor dhe pronar përfitues. 10 Korrik 2020, Agim Isaku zëvendëson Safetin. Shkurt 2021, Agim Isaku largohet, vendin e zë Elina Maria Velasquez Clavijo. Brenda 12 muajve, kompania çregjistrohet me forcë.

Elina Maria Velasquez Clavijo emërohet në dy kompani në të njëjtën ditë, 8 shkurt 2021, pikërisht kur Agim Isaku largohet nga të dyja. Të dyja, Sofitel Investments dhe Braseria, mbyllen me forcë brenda vitit. 

Ibrahim Gashi, shtetas irlandez i lindur në mars 1977, është drejtor dhe pronar përfitues 25-50 për qind i Blessed Property Invest Ltd që nga themelimi. Ai ndan të njëjtën adresë me Erald Matën: 7 Park Road, Stanwell, TW19 7PB.

Ilir Ismailovic, me origjinë maqedonas i lindur në shtator 1988 me nënshtetësi britanike, ishte drejtori themelues i Noah's Holdings dhe drejtori i parë i Al-Tours. Adresa e tij, Flat 353, 34 Porchester Square, London W2 6AU, është e njëjtë me atë të Anisa Qiraxhit.

Artenis Kunxhiu, e lindur në mars 1988, ishte drejtore themeluese e Braseria, Queensway Breakfast Club dhe Green Olive. 

Kevin Veizi, i lindur në prill 1995 me nënshtetësi shqiptare, ishte drejtor dhe sekretar i Al-Tours Limited nga themelimi në dhjetor 2017 deri në maj 2020, dhe pronar përfitues deri në të njëjtën datë.

Në Shqipëri, IBIZA 2018 sh.p.k. u themelua më 23 prill 2018 në Gjirin e Lalzit, me Agim Isakun, Safet Isakun dhe Erald Matën secili me 33.33 për qind. Aktiviteti u pezullua më 24 korrik 2018.

BPI - Blessed Property Invest sh.p.k. u regjistrua më 19 shkurt 2025, 59 ditë para lejes. Kapitali themeltar 875 euro është rreth 0.009 përqind e vlerës së tokës, që sipas çmimeve të referencës së janarit 2026 arrin 190 mijë lekë për metër katror- më e shtrenjta e gjithë bregdetit shqiptar, mbi Dhërmiun dhe Ksamilin.

Erald Mata zotëron restorantin Van Gogh në kompleksin Square 21 në Tiranë. Investimi mësohet të jetë rreth 800 mijë euro. Burime pranë SHISH dhe shërbimeve partnere raportojnë se Erald Mata shpenzon mijëra euro për veshje dhe ora luksoze në Evropë, dhe pagesat i bën të gjitha cash.

Erald Mata është familjar me Ervin Matën, i njohur si "Boli i Kokainës". Erald Mata raportohet si pjesëtar i grupit kriminal, por aktiviteti i tij kufizohet në pastrimin e parave. Në trafikun e drogës janë të përfshirë drejtpërdrejt Agim dhe Safet Isaku. Kompanitë e tyre në Londër janë përdorur për transferimin e parave nëpërmjet sistemit bankar.

Tani e njëjta kompani po kërkon të sjellë brandin HILTON në Gjirin e Lalzit.

Pyetja mbetet: A e di brandi HILTON se financuesit e kullës dhe poseduesit e lejes janë të skeduar për trafik droge e pastrim parash?

Bën përshtypje fakti që një shoqëri me kapital 875 euro mori lejen për të ndërtuar në tokën më të shtrenjtë të bregdetit shqiptar. Bën përshtypje fakti që e njëjta shoqëri u themelua vetëm dy muaj para miratimit. Bën përshtypje fakti që kompania britanike me të njëjtin emër deklaroi zero aktivitet për katër vjet dhe i shpëtoi çregjistrimit për 11 ditë. Bën përshtypje fakti që asnjë nga këto kompani nuk është hetuar nga SPAK. /Pamfleti

4 Komente

  1. T
    Tony

    Pse Hilton brand e co. si jane hapur bythesh neper bote? Keshtu eshte "zhvilluar" bota, kush fiton shume paguan taksa me qindarka se puneson dmth shfrytezon shume e kush fiton nje cope rroge paguan shume qe ploteson taksen e bosit. Keto jane ligjet e Natyres qe ia futit ne koke njeriut.

    1. W
      Westchester

      Pamfleti mos u ndalni je i shume te sakte

      1. A
        Adrian Uk

        Hilton ska shanse te vije ..pamfleti je bish!

        1. A
          Andi

          Keto para te pista shkaterruan ekonomine Shqiptare ato lek te passtra qe vine nga emigrantet per shkak te lekut te piset e kane himbur vleren fare Sot keta me kapital 1000 euro marrin leje per ndertimin e kullave miliona euro ketu eshte faji i shtetit qe lejon pastrimin e lekut

          Lini një Përgjigje