
Nuk kanë fund skandalet e drejtësisë. Vetëm pak ditë pas skandalit ku Fatjon Murati (pronari i lokalit që u slumua me armë) doli se ishte liruar ndonëse akuzohej për arsenal armësh, një nënë me fëmijë 8 ditësh është futur në burg.
Diana Bahçja është arrestuar nga policia e Shkodrës vetëm 8 ditë pasi kishte sjellë në jetë djalin e saj. Shkak është bërë një gjobë që Gjykata e Shkallës së parë në Tiranë i ka vendosur në vitin 2020 në shifrën e 2 milionë e 500 mijë lekëve të vjetra. Ky është konvertuar një javë më parë në dënimin me 1 muaj e 20 ditë burg.
Diana Bahçja është dënuar për braktisjen e një fëmije nga martesa e parë, por ajo mohon se e ka braktisur vajzën e saj. Në një bisedë telefonike nga burgu i grave në Tiranë, e dënuara thotë se ish-bashkëshorti pasi e ka keqtrajtuar e ka nxjerrë nga shtëpia duke mos ia lënë as vajzën.
Bashkëshorti i saj Naim Bahçja nga fshati Drisht i Postribës në Shkodër thotë se prej një jave po kujdeset për fëmijën e tij të porsalindur.
"Gruaja ime ka qenë e martuar edhe një herë. Pas celebrimit, e ka akuzuar ish burri që ka pasur dhe pa e ditur ka ardhur një gjobë 2 milionë e gjysmë lekë për braktisjen e fëmijës. E kanë arrestuar gruan pa vetëdije, s’ka ditur gjë për gjobën dhe është marrë pa deklaratë. Fëmijën nuk e ka braktisur, e ka nxjerrë burri jashtë. Gruaja ka qenë në shtpëi kur e kanë arrestuar. Fëmija ka qenë 8 ditësh. Është arrestuar pa asnjë letër.
Apeli im është të lirohet gruaja e të vijë te fëmija. Bashkëshortja është te burgu i grave në Tiranë. Nuk di të kujdesem për fëmijën njësoj si ajo. Fëmijën e parë nuk ia ka lënë burri. Po e mbajmë fëmijën me qumësht të blerë se ia kanë hequr gjirin e nënës. E kam pasur të vështirë. Për 2 ditë fëmija vetëm qante derisa u mësua.
Më ka marrë operative i zonës në telefon e më ka thënë do të të marr veç të hedhësh një firmë. Në rregull i thashë. Sa shkuam te komisariati i Shkodrës, i nxorën një letër, i thanë firmose. Ajo e mori letrën dhe ma morën si një zog që ik nga dora e se kam parë më. Po, jam i gatshëm të mbaj edhe fëmijën nga martesa e saj e parë”, tha Naim Bahçja.