
Detaje tronditëse janë zbardhur në lidhje me masakrën në Tiranë, ku Dan Hutra vrau motrën e ish-bashkëjetueses, dhe kunatën e saj dhe plagosi Elena Hysën dhe nënën e saj. Ish-bashkëjetuesja e tij, Elena Hysa ka folur ekskluzivisht nga shtrati i spitalit për mediat. Elena tha se Hutra sapo kishte shkuar në banesën e saj kishte qëlluar motrën dhe kunatën, ndërsa atë e kishte goditur me thikë në faqe. Ajo tha mes të tjerash se Hutra donte të qëllonte dhe djalin.
“Ka qenë aty, e kam parë që ka shkrepur armën drejt meje, pastaj në ato momente ka dalë mami para meje, të më mbronte. E kam shtyrë dhe i dola para mamit. Mbaj mend që na ka sharë, llafe të ndryshme dhe na ka gjuajtur me armë. Donte të qëllonte djalin…e kisha në krah djalin. E kam kapur prej krahu dhe e çova nga dhoma tjetër. Ka ikur me vrap. Më qëlloi me thikë sapo ka hyrë brenda, më qëlloi në faqe. Do ju vras të gjithë tha ai.”, tha Elena.