Një 39-vjeçar u arrestua paraditen e sotme në Rinas, teksa tentoi të fuste në Shqipëri një valixhe me drogë. Mësohet se Dhimitër Shehu, nga Tepelena, kishte fshehur në valixhe 19.4 kg kanabis me përqindje të lartë THC.
Ndërkohë është publikuar fotoja e të riut Dhimitër Shehu. 39-vjeçari vinte nga Tajlanda dhe synonte shitjen e drogës në vendin tonë. Policia ka sekuestruar lëndën narkotike me vlerën 388 mijë euro.
Operacioni për kapjen e 39-vjeçarit u kodua ‘Pako 6’, ndërsa vijojnë hetimet nëse ka persona të tjerë të përfshirë në këtë rast.
“Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara nga Policia e Tiranës, me objektiv goditjen e rasteve të trafikimit të lëndës narkotike Cannabis Sativa me përqindje të lartë THC, për shitje në Shqipëri, është goditur një tjetër rast i tentativës për futje të lëndës narkotike me përqindje të lartë të lartë THC.
Pas informacioneve të siguruara nga Drejtoria për Hetimin e Narkotikëve në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit dhe regjistrimit të procedimit penal në Prokurorinë e Tiranës, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve i DVP Tiranë në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Rinas, dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, në kuadër të këtij procedimi proaktiv, finalizoi operacionin policor antidrogë të koduar “Pako 6”.
Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi Dh. Sh.,39 vjeç, banues në fshatin Kras, Tepelenë.
39-vjeçari që udhëtonte nga Tajlanda në Shqipëri, kishte me vete një valixhe me 19 kg e 400 g lëndë narkotike Cannabis Sativa me përqindje të lartë THC, e cila iu sekuestrua me cilësinë e provës materiale.
Vijojnë hetime të thelluara për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetas të tjerë që mund të jenë implikuar në këtë rast”, njoftoi policia.
Lini një Përgjigje