Porositësi dyshohet se është Aurel Hoxha, pronari i lokal 'Monopol' në zonën e 'Myslym Shyrit'...
SPAK ka zbardhur vrasjen e Klevis Lleshit në vitin 2020, 24-vjeçarit që u gjet i groposur në Mamurras rreth 2 vite e gjysmë pas zhdukjes së tij.
Mësohet se në lidhje me ngjarjen, SPAK ka lëshuar 4 urdhër arreste, njëri prej të cilëve është ekzekutuar. Porositësi dyshohet se është Aurel Hoxha, pronari i lokal Monopol në zonën e 'Myslym Shyrit' në Tiranë.
Burime bëjnë me dije se ai ka marrë hak për vrasjen e të vëllait Agim Hoxha në 2012. Policia dhe FNSH ka ushtruar rreth orës 04:00 të mëngjesit kontrolle në lokalin e tij. Forcat operacionale kanë ushtruar kontroll në Mamurras, ndërsa po ushtrohen kontrolle edhe në Kamëz e Fresk.
Vrasja e Klevis Lleshit
Klevis Lleshi, i riu nga Burrelli, u zhduk më 5 gusht të vitit 2020, pa lënë asnjë gjurmë. Vetëm në shkurt të vitit 2023 hetuesit arritën të hedhin gjurmë mbi zhdukjen e tij.
Trupi i pajetë është zbuluar nga banorët e fshatit Shpërdhet të Kurbinit si rezultat i erozionit të tokës dhe banorë të zonës kanë njoftuar policinë, e cila më pas ka kryer testin e AND-së nga ku ka rezultuar se i përkiste të riut nga Mati, Klevis Lleshi, në atë kohë 24 vjeç.
Ngjarja fillimit u hetua nga prokuroria vendore ndërsa familjarët kanë kërkuar vazhdimisht drejtësi.
Ngjarja dyshohet se është sagë e një gjakmarrjeje ndër vite pasi të riut më herët i janë ekzekutuar babai dhe xhaxhai.
Saga e hakmarrjes
Nëna e Klevis Lleshit në rrëfimin e saj tronditës vuri gishtin në hasmërinë e përgjakshme që kishte me familjen Hoxha, hasmëri që dyshohet se ka marrë tashmë 5 jetë njerëzish, vazhdon të jetë edhe një i zhdukur që në 2017-n.
Gjithçka nisi në Londër, për t’u transferuar më pas në Burrel, atje ku u vranë dy vëllezër dhe u zhduken dy djemtë e tyre. Por, në dhjetor 2020 në fshatin Shpërdhet u bë me dije se disa mbetje kockore të një njeriu kishin dalë në sipërfaqe.
Në shkurt 2023 u tha se i përkasin Klevis Lleshit, pasi ADN-ja kishte përkuar me ato të familjes së tij. Nëna teksa tregoi për dyshimet e saj, dëshmoi edhe për vendin në të cilin gjendeshin hasmit e familjes së saj, por pa mundur të vërë gishtin mbi askënd.
Prokuroria e Matit kishte nisur hetimet pas denoncimit të familjarëve në qershor të vitit 2020 se Klevis Lleshi dyshohej të ishte marrë peng në afërsi të Pallatit të Sportit në Burrel.
Saga e vrasjeve në familjen Lleshi ka nisur shumë vite më parë. I ati i Klevisit, Xhavit Lleshi u vra në një pritë në vendin e quajtur “Pujkë” në vitin 2013, ndërsa pak vite më pas i është vrarë xhaxhai Hajredin Lleshi, pranë shtëpisë.
Si u vra dhe u dogj në makinë 25 vjeçari, Agim Hoxha
Ishte 10 prilli i vitit 2012 kur në familjen Hoxha do të vinte një lajm i zi nga Anglia; djali i tyre ishte gjendur i pajetë në një makinë dhe i djegur. Sipas të dhënave të asaj kohe ngjarje kishte ndodhur për grabitje, ose ky ishte dyshimi kryesor i policisë angleze që e hetoi ngjarjen në mënyrë intensive. Ata gjetën gjurmë shqiptarësh e për pasojë shpallën në kërkim Arben Lleshin po nga Burreli.
Ai u kap në Itali dhe shteti italian e ekstradoi në drejtim të Britanisë së Madhe. Ai u hetua, u gjykua dhe u shpall fajtor për krimin horror, duke u dënuar me burgim të përjetshëm. E ndërkohë që Arbeni hetohej e gjykoi për atë ngjarje tronditëse në Mat i vritet xhaxhai dhe më pas i ati. Pak kohë më vonë i rrëmbehet vëllai dhe më pas edhe djali i xhaxhait.
Vrasja e emigrantit Agim Hoxha nga fshati Shqefën i Macukullit vazhdon të sjellë viktima në familjen Lleshi.
Dyshohet se vrasja e dy vëllezërve Lleshi dhe zhdukja e dy kushërinjve e kanë zanafillën pikërisht nga ngjarja e ndodhur në Angli. Lleshi u kap nga policia italiane një muaj pas vrasjes dhe u dënua nga drejtësia në Angli me burgim të përjetshëm pas ekstradimit. Dënimi për Arben Lleshin është dhënë qershorin e vitit 2013. Viktima Agim Hoxha u gjet nga policia në makinën e tij, në ndenjësen e pasme, i vrarë. Policia angleze sqaroi se bëhej fjalë për grabitje, ku Hoxha kishte mbetur i vrarë dhe më pas makinës tip “Benz Mercedes” i ishte vënë flaka për të humbur gjurmët e krimit. Ngjarja është zbuluar nga kamerat e vendosura në rrugën ku ndodhi krimi i rëndë. Më 12 tetor 2013, u vra në vendin e quajtur “Pujkë”, Xhavit Lleshi.
Policia hodhi dyshime se pistë kryesore ishte hakmarrja ndaj familjes Lleshi, pas vrasjes së emigrantit Hoxha. Nëse në rastin e vrasjes së Xhavitit Policia kishte dy pista hetimi, hakmarrjen dhe problemet që viktima kishte pasur me persona të ndryshëm, për vrasjen e katër viteve më vonë të Hajredin Lleshit, vëllait të Xhavitit, Policia dyshoi se kjo është një vrasje për hakmarrje. Banorë të fshatit, aso kohe thanë se autorët e të dyja vrasjeve mund të jenë të njëjtë dhe në të dyja rastet i kanë zhdukur makinat që janë përdorur në atentat. Në vitin 2013, makinën e hodhën në liqenin e Shkopetit, ndërsa automjetin që kanë përdorur në vrasjen e dytë e kishin djegur në afërsi fshatit Rukaj. Ndërkohë po atë vit, pra në 2017 zhduket Artan Lleshi, ndërsa në gushtin e 2020 zhduket Klevis Lleshi.
Vrasja e Arben Lleshit
Arben Lleshi u ekzekutua në burg më 15 Dhjetor 2023 nga Sokol Mjacaj.
Si pasojë e sagës së hakmarrjes me fisin Hoxha, këtë herë shënjestër e ekzekutimeve ishte vetë Arben Lleshi, i cili vrau Agim Hoxhën në 2012.
Pikërisht për këtë vrasje Arben Lleshi po vuante dëbimin me burgim të përjetshëm, kur në vitin 2023 dyshohet se u vra në vazhdë të kësaj hakmarrjes. Sokol Mjacaj i cili e ekzekutoi brenda në qeli, ndërsa mbeti i plagosur një tjetër i dënuar përjetë, Indrit Shaqja./Pamfleti
Lini një Përgjigje