Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me incidentin e ndodhur në sallën numër 2 të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ku disa të pandehur u përfshinë në një konflikt fizik gjatë zhvillimit të seancës gjyqësore.
Mësohet se përplasja ka nisur pak pasi kishte filluar seanca. Kristi Bushgjoka është ngritur në këmbë brenda kafazit të qelqtë dhe, pasi i është drejtuar gjykatës me fjalët “Me leje gjyqtar?”, ka sulmuar me grushte Petrit Hoxhën, i njohur edhe me mbiemrin Çakri. Menjëherë pas tij, në konflikt janë përfshirë edhe vëllezërit Fatjon dhe Aleksandër Bushgjokaj.
Dyshimet paraprake janë se vëllezërit Bushgjokaj e akuzonin Petrit Çakrrin se i kishte spiunuar dhe kishte bërë deklarime të rreme në dëm të tyre. Gjatë incidentit, Çakri dyshohet se është goditur me grushte dhe është përplasur pas murit të kafazit të qelqtë.
Situata ka shkaktuar tension dhe kaos në sallën e gjyqit, duke detyruar ndërhyrjen e menjëhershme të forcave të Policisë së Burgjeve dhe stafit të sigurisë së gjykatës. Gjatë përpjekjeve për të ndaluar konfliktin, raportohet se kanë mbetur të lënduar edhe tre efektivë të togës së shoqërimit të të burgosurve.
Ngjarja ndodhi gjatë procesit gjyqësor ndaj Fatjon Bushgjokajt dhe Petrit Çakrrit, të akuzuar për vrasjen e 23-vjeçarit Renis Dobra. Autoritetet pritet të dokumentojnë incidentin dhe të marrin masat përkatëse ndaj personave të përfshirë në përleshje.
Lini një Përgjigje