Një aksident me pasojë vdekjen është regjistruar mëngjesin e kësaj të hëne në aksin rrugor Rrëshen–Reps, në Rrugën e Kombit.
Sipas informacioneve paraprake, shtetasi Kujtim Aliu, 46 vjeç, nga Kosova, kishte zbritur nga një autobus dhe po tentonte të kalonte në anën tjetër të autostradës, kur është përplasur nga një automjet.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 08:45, në afërsi të fshatit Gëziq. Si pasojë e përplasjes, 46-vjeçari ka mbetur i plagosur rëndë dhe ka humbur jetën gjatë transportimit drejt spitalit.
Policia bëri me dije se automjeti që përplasi këmbësorin drejtohej nga shtetasja kosovare me inicialet N.R.
“Rreth orës 08:45, në Rrugën e Kombit, në afërsi të fshatit Gëziq, automjeti me drejtuese shtetasen kosovare N. R. ka përplasur shtetasin K. A., rreth 46 vjeç, këmbësor.
Si pasojë është dëmtuar shtetasi K. A., i cili ka humbur jetën gjatë transportimit në spital.
Drejtuesja e automjetit u shoqërua në Komisariat, për kryerjen e veprimeve procedurale. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit”, thuhet në njoftimin e policisë.
Lini një Përgjigje