Zbardhen detaje të reja nga hetimet për dy ngjarjet e rënda në Shkodër, vrasja e Kristjan Kolës dhe atentati me dy të vrarë dhe dy të plagosur.
Policia e Shtetit pas hetimeve intensive ka dyshime të forta se në të dyja atentatet ka vepruar i njëjti ekzekutor. Ragip Gila u arrestua pas atentatit të datës 8 shtator ku u vra Armando Pali, Liridon Kraja dhe u plagos Erogen800 Vaso Brajoviç dhe kamarierja me iniciale M.K.
Pas disa provave të mbledhura nga grupi hetimor ka dyshime të forta se Gila mund të ketë qenë edhe ekzekutor i vrasjes së Kristjan Kolës, shkruan A2 CNN.
Përveç provave që lidhin dy atentatet me një autor, të cilat nuk bëhen të ditura për shkak të sekretit hetimor, autori ka vepruar njësoj në të dy atentatet, ka lëvizur me motor dhe i maskuar me skafandë.
Pritet t'i bëhet edhe një ekspertizë e dytë motorit që u përdor në vrasjen e Kristjan Kolës dhe më pas u gjet i djegur. Pritet të përftohen gjurmë ADN-je të cilat më pas do të krahasohen me të Ragip Gilës.
Dy të vrarë dhe 2 të plagosur është bilanci i një atentati që trondit Shkodrën mëngjesin e 8 Shtatorit në një lokal pranë Bashkisë së qytetit. Shënjestër e atentatit ishte 43-vjeçari Erogen Brajoviç, allias Vaso, i cili është anëtar i fisit të Bajrit, vëllai i Denis Brajoviç (Bajri). Nga atentati mbeti e plagosur edhe kamerierja 25-vjeçare Meri Kaceri. Ndërkohë, i vdekur mbeti Armando Pali, dhe Liridon Kraja (Lushi) 31-vjeç, truproja e Erogen Brajoviç. Autori 29-vjeçar, Ragip Gila u vu në pranga.
Atentati ndodhi rreth orës 08:50 të 8 shtatorit, ndërsa Erogen Brajoviç, i cili mbeti i plagosur u transportua pas disa orësh tek Trauma. 43-vjeçari ka marrë 4 plagë në trup, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ragip Gila nuk është emër i panjohur për policinë. I arrestuar në fund të dhjetorit 2023 me një arsenal të tërë armësh në Shkodër, ai u lirua nga burgu më 4 mars të këtij viti. Me vendim të gjyqtarit Albert Keraj, ai u dënua me 3 vite e 4 muaj burg me gjykim të shkurtuar jo për armëmbajtje pa leje, por për drogë, dhe u lirua me kusht që për një periudhë prej 5 vitesh të mos kryejë vepra të tjera penale. Por nuk vonoi, dhe nga marsi kur la qelinë, 6 muaj më pas, këtë 8 shtator, vrau 2 persona e plagosi dy të tjerë në lokalin pranë bashkisë së Shkodrës.
Në dëshminë dhënë para hetuesve pas arrestimit, 29-vjeçari ka pranuar autorësinë duke theksuar se donte të vriste Erogen Brajoviç, i cili mbeti i plagosur. Dyshohet se në këtë atentat mafioz, Ragim Gila të jetë pajtuar si vrasës me pagesë.
“Me të e kisha, vetëm Genin doja ta vrisja atë kisha objektin kryesor. Personat e tjerë nuk i njoh”, mësohet të jetë shprehur i dyshuari.
Gila ishte dënuar nga Gjykata e Shkodrës me 5 vite burgim, që në aplikim të gjykimit të shkurtuar u ulë në 3 vite e 4 muaj burg. Ai ishte arrestuar në 2023-shin me arsenal armësh, por në përfundim të procesit, u dënua për prodhim dhe shitje droge, pasi akuzat për armëmbajtja u pushuan nga amnistia vjetore.
Lini një Përgjigje