TAGS-AT E JAVËS

Kronike22 Tetor 2025, 16:32

Të përfituara nga veprimtari kriminale, konfiskohen mbi 15 mijë m2 truall në Lezhë

Shkruar nga Pamfleti
Të përfituara nga veprimtari kriminale, konfiskohen mbi 15 mijë
Foto ilustruese

Krimi zapton tokat në bregdetin e Lezhës...

Vijojnë të dalin përditë fakte se droga dhe krimi kanë zaptuar gjithë bregdetin. Pas Jugut dhe Gjirit të Lalëzit, duket se shënjestra është Shëngjini. Në këtë zonë ka pasur prej vitesh parregullsi me pronat në bregdet. Madje kemi pasur dhe ish-deputetë të arrestuar dhe proceduar për afera.

Sot policia ka bërë një aksion në Lezhë dhe ka konfiskuar një sipërfaqe të madhe toke. Më saktë, ka konfiskuar 7 pasuri të llojit arë me sipërfaqe 15028 metër katror. Sipas njoftimit të policisë, konfiskimi ka ndodhur në zbatim të vendimit të GjKKO-së, pasi dyshohet se pasuritë janë përfituar nga veprimtari kriminale.

Nga 7 parcelat e konfiskuara, 2 ndodhen në bregun e lumit Drin, një zonë me potencial të lartë zhvillimi, ndërsa 5 të tjera në Ishull Shëngjin, një zonë bregdetare gjithashtu e vlerësuar për interes turistik dhe ekonomik.

Konfiskohen 7 pasuri të llojit “Arë”, me sipërfaqe totale 15028 m2, të ndodhura në bregun e lumit Drin dhe në Ishull Shëngjin.

Konfiskimi, në zbatim të vendimit të GjKKO-së, pasi dyshohet se pasuritë janë përfituar nga veprimtari kriminale.

Në zbatim të vendimit të GjKKO-së të vitit 2021, lënë në fuqi me vendimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar të vitit 2022, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Lezhë, në bashkëpunim me specialistët e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, konfiskuan 7 pasuri të llojit “Arë”, me sipërfaqe totale 15028 m2.

Pasuritë e sekuestruara ndodhen 2 në bregun e lumit Drin dhe 5 në fshatin Ishull Shëngjin”, njoftoi policia.

Pak kohë më parë, një aksion i ngjashëm u bë nga SPAK, duke sekuestruar 66 mijë metra katrorë prona në zonën e Ishullit të Lezhëz dhe Malit të Rencit, prona që sipas prokurorisë janë përfituar përmes falsifikimit dhe aktiviteteve të tjera kriminale.

Prokuroria tha se përvetësimi i pronave kishte dalë nga hetimet e nisura në dhjetor 2019 ndaj një grupi të strukturuar kriminal, për trafik narkotikësh dhe vepra të tjera penale.

Gjatë hetimit të këtij procedimi penal ka rezultuar se disa shtetas në bashkëpunim me njëri tjetrin dhe në bashkëpunim me zyrtarë shtetërorë, nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara dhe veprimeve të tjera të  kundërligjshme, kanë përfituar në mënyrë të paligjshme një sipërfaqe prej 66 000 m2 tokë në disa zona bregdetare në Lezhë, me një vlerë prej rreth 13 milionë euro. Këto prona kanë rezultuar se janë produkt i veprave penale të përshkruara më sipër”, thuhej në njoftim.

Po ashtu një operacion i koduar si Vol-Vo4 i zhvilluar në tetor 2018, ndërsa ndiqte fijet e trafikantëve të drogës zbuloi edhe tjetërsimin e qindra mijëra metrave tokë me vlerë të llogaritur 60 milion euro.

Lini një Përgjigje