Dy persona të plagosur te zona pranë stadiumit...
Qyteti i Sarandës është tronditur nga të shtënat me armë zjarri ditën e sotme.
Në lagjen nr.4, zona pranë stadiumit, janë dëgjuar të shtëna me armë, teksa paraprakisht dyshohet për dy persona të plagosur.
Sipas burimeve, të plagosurit janë identifikuar si Ernes Lama 24 vjeç dhe Gëzim Hoxhaj 32 vjeç.
Të dy kanë përfunduar në spital dhe po marrin trajtim shëndetësor. Nuk ka akoma të dhëna mbi dinamikën e krimit, nëse kemi të bëjmë me një sherr të çastit apo për ndonjë atentat të mundshëm. Deri tani raportohet se janë qëlluar nga një person i tretë, identiteti i të cilit nuk dihet. Po ashtu nuk dihet nëse janë banorë të Sarandës apo pushues.
Mbi ngjarjen reagoi edhe policia. Ajo bën me dije se ata do të dërgohen drejt Tiranës për ndihmë të specializuar pasi gjendja nuk është shumë e mirë.
“Sot, rreth orës 15:00, në lagjen nr. 4, Sarandë, në rrethana ende të paqarta, dyshohet se janë plagosur me armë zjarri shtetasit G. H., 32 vjeç dhe E. L., 24 vjeç, të cilët pas ndihmës së parë mjekësore në spitalin e Sarandës, do të dërgohen drejt spitalit të Traumës, Tiranë, për mjekim të specializuar.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë Sarandë, po vijon punën për identifikimin e autorit, zbardhjen e e rrethanave dhe dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje”, tha policia.
Ngjarja e rëndë ndodh në mes të sezonit, në një prej qyteteve më të frekuentuara gjatë verës në vendin tonë.
Lini një Përgjigje