Detaje të reja kanë dalë në dritë nga aksidenti tragjik i ndodhur mesditën e kësaj të mërkure pranë rrethrrotullimit të TEG-ut, ku humbi jetën shoferi i një betoniere, ndërsa drejtuesi i një automjeti tip fuoristradë mbeti i plagosur.
Sipas informacioneve paraprake, betonierja po lëvizte nga zona e Lundrës në drejtim të autostradës Tiranë-Elbasan. Në momentin kur është futur në rrethrrotullim, është përplasur me një automjet tip fuoristradë që po hynte gjithashtu në të njëjtën nyje rrugore.
Përplasja ka qenë shumë e fortë, duke bërë që të dy mjetet të dalin nga trajektorja, të marrin përpara barrierën mbrojtëse dhe të bien nga pjesa e sipërme e rrethrrotullimit në nënkalimin poshtë.
Për pasojë, drejtuesi i betonieres ka humbur jetën në vendngjarje, ndërsa drejtuesi i fuoristradës ka mbetur i plagosur dhe është transportuar në spital për të marrë ndihmë mjekësore.
Burime nga vendngjarja sqarojnë se, ndryshe nga raportimet e para, betonierja nuk ka rënë mbi ndonjë automjet që po qarkullonte në autostradën Tiranë-Elbasan. Aksidenti ka ndodhur në pjesën e sipërme të rrethrrotullimit dhe vetëm pas përplasjes të dy mjetet kanë thyer barrierën mbrojtëse, duke përfunduar në nënkalim.

Në vendin e ngjarjes mbërritën menjëherë shërbimet e Policisë, zjarrfikësit dhe ekipet e urgjencës, të cilat punuan për nxjerrjen e viktimës dhe të të plagosurit, si edhe për largimin e mjeteve të aksidentuara.
Për shkak të aksidentit, qarkullimi i automjeteve në zonë u bllokua për disa orë, ndërsa policia devijoi lëvizjen e mjeteve për të mundësuar ndërhyrjen e ekipeve të emergjencës dhe kryerjen e veprimeve hetimore.
Ky nuk është aksidenti i parë i rëndë në këtë mbikalim. Rreth tre vjet më parë, në të njëjtën zonë, një automjet tip "Audi" ra nga mbikalimi, duke shkaktuar një tragjedi ku humbën jetën tre të rinj: Erisilda Abedini, Sikela Përroi dhe 20-vjeçari Klevis Ruçaj.
Grupi hetimor vijon punën për të zbardhur plotësisht shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.
Lini një Përgjigje