TAGS-AT E JAVËS

Kronike29 Shtator 2025, 11:29

Tentoi të trafikojë drejt Kosovës një vajzë të mitur, arrestohet 22-vjeçari

Shkruar nga Pamfleti

Tentoi të trafikojë drejt Kosovës një vajzë të

Një 22-vjeçar dhe bashkëudhëtari i tij, u arrestuan nga Policia Kufitare në pikën kufitare të Morinës. Mësohet se 22-vjeçari ka tentuar të trafikojë drejt Kosovës një 14 vjeçare, e cila ishte denoncuar në polici nga prindërit si e zhdukur.

Sipas njoftimit zyrtar, shërbimet e Policisë Kufitare, në vijim të analizës së riskut dhe kontrollit të detajuar të mjeteve në dalje të Republikës së Shqipërisë, kanë ndaluar një automjet që drejtohej nga shtetasi E. G., 22 vjeç, banues në Berat. Në automjet ndodheshin gjithashtu shtetasi A. K., 18 vjeç dhe një shtetase 14-vjeçare, e shpallur në kërkim familjar nga DVP Durrës për largim nga banesa.

Nga hetimet paraprake dyshohet se E. G. kishte qëllim trafikimin e të miturës drejt territorit të Kosovës, ndërsa bashkëudhëtari i tij, A. K., akuzohet për moskallëzim të krimit, pasi ka qenë në dijeni të qëllimit të udhëtimit.

Të dy shtetasit u arrestuan në flagrancë nga specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Kukës.

E. G., 22 vjeç, u arrestua për veprën penale “Trafikimi i të miturve”,  ndërsa A. K., 18 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Ndërkohë, më datë 28.09.2025, familjarët e vajzës 14-vjeçare kishin kallëzuar në Drejtori Vendore të Policisë Durrës për largimin e saj nga banesa, duke çuar në fillimin e hetimeve që çuan në identifikimin e saj në pikën kufitare.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për vijimin e veprimeve të mëtejshme hetimore.

Lini një Përgjigje