Një aparat celular është sekuestruar nga grupi i sigurisë në burgun e Drenovës, gjatë një kontrolli të ushtruar në njërën prej qelive të institucionit.
Dyshohet se telefoni mund të jetë përdorur nga i dënuari Laert Haxhiu.
Hetimet për këtë rast po vijojnë nga Prokuroria e Korçës në bashkëpunim me Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, SHÇBA.
Autoritetet po hetojnë për të verifikuar nëse telefoni është përdorur nga Haxhiu apo persona të tjerë të dënuar, si dhe për të zbuluar nëse ka pasur kontakte të dyshimta jashtë institucionit të vuajtjes së dënimit.
Laert Haxhiu, i dënuar me burg përjetë nga GJKKO për masakrën e Lushnjës, u ekstradua 3 Korrik 2024 nga Greqia në Shqipëri.
6 vite pas masakrës, Laert Haxhiu u arrestua në Greqi, në maj të 2023-shit. Haxhiu, kundërshtar i ish kreut të bandës së Lushnjës Aldo Bare, u dënua përjetë për masakrën e Lushnjës në vitin 2017, ku mbetën të vrarë Zamir Latifi, mik i Bares, dhe Jurgen Hoxha. Ata u qëlluan me automatik me automatik në një lokal në qendër të Lushnjes, ndërsa pronari i lokalit dhe një kalimtar mbetën të plagosur aksidentalisht. Me burgim të përjetshëm për masakrën e Lushnjës janë dënuar më herët bashkëpunëtorët e Haxhiut, Anterio Kaloshi dhe Orgest Bilbili.
Dy vjet pas “masakrës së Lushnjës” ndodhën edhe dy ekzekutime të tjera. Njëri dyshohet se lidhet me Laert Haxiun. Besnik Hida, daja i 23-vjeçarit Zamir Latifi i cili kërkonte të bënte drejtësi për atentatin ndaj nipit të vrarë nga Haxhiu u vra në një atentat mafioz në 2019-ën.
Laert Haxhiu u fundos përfundimisht pas dëshmisë së të penduarit Artan Tafani, i cili rrëfeu përfshirjen e të dyve, por edhe një grupi të madh personash në 16 ngjarje kriminale, mes të cilave 4 vrasje në Shqipëri dhe 2 të tjera në Greqi. Mes rrëfimit ishte dhe planifikimi i Haxhiut për të vrarë persona të drejtësisë, përfshirë prokuroren e SPAK, Doloreza Musabelliu, dhe atë të Lushnjës, Merita Selimi, për të cilat me urgjencë të madhe u mor vendimi për mbrojtjen e tyre.
Lini një Përgjigje